Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shpallet lista e Kosovës për ndeshjen me Kroacinë

Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës më 3 mars i fillon kualifikimet për Kupën e Botës 2027 për futbolliste.

Futbollistet e Kosovës luajnë fillimisht në “Fadil Vokrri” ndaj Gjibraltarit. Çdo rezultat, pos fitores, do të ishte dështim nga ajo ndeshje. Gjibraltari është përfaqësuesja më e dobët që paraqitet në kualifikime.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sfida e vërtetë e grumbullimit të parë do të jetë ajo e 7 marsit ndaj Kroacisë në Karlovc.

Kosova garon në Grupin 3 të Ligës C. Kualifikimet evropiane janë të ndara në tri liga, në formatin e Ligës së Kombeve.

Prej Ligës C kualifikimi direkt në Botëror nuk është i mundur. Fituesit e grupeve të Ligës C avancojnë në plejof, kurse kualifikohen në plejof edhe dy ekipet më të mira të vendit të dytë prej gjashtë grupeve gjithsej. Në grup me Kosovën është edhe Bullgaria.

Selektori i Kosovës, Sami Sermaxhaj, ka publikuar të martën listën e futbollisteve të ftuara për ndeshjet me Gjibraltarin dhe Kroacinë.

Kryesisht janë futbolliste të konfirmuara që kanë luajtur edhe më parë për Kosovën. Por në listë ka edhe emra të rinj. Pjesë e listës është edhe Loreta Kullashi, që i ka tetë paraqitje për Suedinë. 26-vjeçarja është pjesë e Badalonas në elitën spanjolle, ndërsa më herët ka luajtur edhe për Napolin, Sassuolon dhe në skuadrat suedeze Rosengard, Eskilstuna e disa të tjera. Kullashi ishte edhe tek Interi në Itali, por nuk luajti.

Megjithatë KOHA ka mësuar se Kullashi nuk do të bashkohet me Kosovën në këtë grumbullim. Ka gjasa që ajo të luajë në të ardhmen për Kosovën, por jo në mars ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë.

Erëleta Memeti është kapitene dhe lidere e Kosovës. Ajo po luan me sukses në Bundesligë, te skuadra Eintracht Frankfurt.

Disa lojtare të Kosovës bëjnë karrierë në Turqi, ndërsa reprezentuese “dardane” luajnë edhe në Suedi e disa vende të tjera. Një pjesë e mirë e përfaqësueses përbëhet nga lojtare të klubeve të vendit.

Së fundi futbollistet e Kosovës luajtën në tetor. Humbën 4:0 dhe 3:0 nga Turqia në plejof të ligës së Kombeve. Në Ligën e Kombeve po ashtu ishin në Ligën C, ndërsa nuk realizuan synimin për të fituar grupin me Letoninë dhe Maqedoninë e Veriut. Grupin e fitoi Letonia që avancoi në Ligën B, ndërsa pas humbjeve nga Turqia në plejof, Kosova mbeti në C.

Tani në kualifikimet për Botëror, Kosova do të mundohet të sigurojë plejofin dhe potencialisht kalimin në Ligën B.