Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, do të përballet me kampionin e Luksemburgut, Differdange 03, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Shorti është tërhequr të martën pasdite, ndërsa skuadra gjilanase ishte bartëse në short.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 8 apo 9 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa e kthimit më 15 apo 16 korrik në Luksemburg.
Drita në Champions paraqitet për herë të tretë. Në edicionin 2018/19 e kaloi raundin preliminar, duke mposhtur Santa Coloman e Andorrës dhe Lincolnin e Gjibraltarit. Ishte ndalur në raundin e parë kualifikues të Championsit nga Malmo e Suedisë.
Në edicionin 2020/21, Drita në gjysmëfinale të raundit preliminar e mposhti Inter d’Escaldes të Andorrës. Por humbi me rezultat zyrtar, 3:0, nga Linfieldi i Irlandës në finale të raundit preliminar.
Gjilanasit tashmë kanë përvojë gjashtëvjeçare në gara kontinentale dhe synojnë ta kalojnë raundin e parë kualifikues të Championsit.
Differdange 03 është klub i formuar 22 vjet më parë, ndërsa ka stadium prej 3800 ulëseve. Titullin e kampionit të Luksemburgut e ka fituar në dy vjetët e fundit. Klubi ka histori të gjatë e po ashtu suksese të shumta në Luksemburg, por me emra të tjerë.
Në gara evropiane paraqitet rregullisht, por pa arritur ndonjë sukses. Vjet Differdange 03 u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga skuadra e Ishujve Faroe, KI. Vazhdoi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa u eliminua nga Ordabasy i Kazakistanit.
Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve paraqiten 28 kampione të vendeve të tyre.
Të martën kundërshtarët e parë evropianë i mësuan edhe kampionia e Shqipërisë, Egnatia, dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës.
Egnatia e Rrogozhinës do të përballet me Breidablikun e Islandës. Egnatia do të jetë vendase në ndeshjen e parë.
Egnatia për herë të dytë paraqitet në kualifikimet e Championsit dhe për herë të tretë në gara evropiane. Vjet u eliminua në Champions nga Borci i Banjallukës.
Udhëtim i gjatë e pret edhe skuadrën tetovare, Shkëndija. Kuqezinjtë në xhiron e parë kualifikuese të garës elitare evropiane do të përballen me kampionin e Uellsit, The New Saints. Në minigrupin ku ishte Shkëndija në short, The New Saints ishte kundërshtari më i lehtë i mundshëm.
Edhe Shkëndija ka përvojë të gjatë në kualifikime të garave evropiane. Në Champions së fundi u paraqit në vitin 2021, kur u eliminua në raundin e parë kualifikues nga Mura e Sllovenisë.
Derisa Drita ishte bartëse në short, Egnatia e Shkëndija nuk ishin bartëse.