Futboll

Shkupi ndihet i tradhtuar, do t’i drejtohet gjykatës

FC Shkupi

Ish-kampioni i Maqedonisë së Veriut në futboll, Shkupi, është dashur të dielën të luante ndeshjen e javës së dytë kundër Sileksit nga Kratova. Por ndeshja nuk është zhvilluar dhe skuadra shqiptare pritet ta humbë me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen ndaj Sileksit.

Aktualisht stadiumi i Shkupit nuk i plotëson kriteret për organizimin e ndeshjeve të elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht nuk i plotësonte kërkesat për teknologjinë VAR.

Shkupi të dielën ka dalë me deklaratë për ndeshjen që nuk e zhvilloi ndaj Silekin. Te Shkupi ndihen të tradhtuar nga Strumica, ndërsa kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen gjykatës.

“Ne kemi arritur marrëveshje me pronarët e stadiumit në Strumicë për të zhvilluar ndeshjen atje dhe kemi marrë miratimin e tyre me shkrim. Menjëherë pas kësaj kemi njoftuar Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) dhe ndeshja është regjistruar dhe konfirmuar zyrtarisht në sistem. Fatkeqësisht, në momentin e fundit, pronarët e stadiumit e kanë tërhequr miratimin e dhënë, duke krijuar një problem të panevojshëm për klubin tonë. Për këtë arsye Shkupi do ta çojë çështjen në gjykatë dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore”, shkruan në deklaratën e Shkupit.

Te klubi kampion i edicionit 2021/2022, besojnë se ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë në stadiumin e tyre.

“Sa i përket stadiumit tonë, punimet për instalimin e sistemit VAR tashmë kanë filluar. Ndeshjen e ardhshme në shtëpi e planifikojmë ta zhvillojmë në stadiumin tonë, përpara jush – tifozëve tanë të dashur. Gjatë këtij procesi kemi shpresuar që klubet në Maqedoni do të tregonin solidaritet dhe mirëkuptim, duke na lejuar të zhvillonim të paktën një ndeshje ‘në shtëpi’ në stadiumin e tyre. Për fat të keq, nuk pamë një mbështetje të tillë, përkundrazi, rruga jonë u bë edhe më e vështirë”, shkruan në reagim.

Po ashtu në deklaratën e Shkupit u bëhet thirrje parive politike shqiptare të qëndrojnë larg klubit.

“Ju lutemi, mos e përdorni futbollin për fushatat tuaja politike dhe mos e pengoni sportin tonë. Futbolli u përket tifozëve, lojtarëve dhe klubeve – jo politikës. Na lejoni t’i përballojmë e t’i zgjidhim sfidat tona së bashku me tifozët tanë. Sepse FC Shkupi nuk është vetëm një klub – është familja jonë e madhe. Me tifozët tanë, krah për krah, ne do të kalojmë çdo pengesë dhe do të ecim përpara edhe më të fortë”.

Megjithatë, fusha nuk ishte problemi i vetëm me të cilin Shkupi u përball në javët e fundit. 

Është raportuar në mediat e Maqedonisë së Veriut se Shkupi u përball edhe me vështirësi organizative. Sipas “Open TV”, Shkupi ndeshjen e parë kundër Shkëndijës së Tetovës e luajti me ekipin e të rinjve. Madje rrezikon me largim nga garat.

Edicionin e kaluar në gjysmë e lanë garën dy klubet shqiptare, Voska Sport dhe Gostivari, ndërsa Besa 1976 ra nga elita pasi humbi nga Bashkimi në barazh. 

Voska Sport dhe Gostivari u tërhoqën me pretendimin se u ishte bërë e padrejtë