Futboll

Sheshko e Ekitike synojnë ta ndryshojnë trendin e ish-sulmuesve të Bundesligës

Benjamin Sheshko

Transferimi i shumëpritur i Benjamin Sheshkos nga Leipzigu te Manchester Unitedi është kompletuar. Tani fillon puna e vërtetë.

Sheshko dhe shoku i tij i Premier Leagues, Hugo Ekitike i Liverpoolit, duhet ta ndryshojnë trendin e fundit të sulmuesve të vlerësuar shumë në ligën gjermane e që kanë vështirësi të mëdha pasi largohen. Edhe Ekitike është transferuar te Liverpooli nga Bundesliga.

Një tjetër lojtar që ka diçka për të dëshmuar është Mathys Tel. Transferimi i tij te Tottenhami nga Bayerni i Munichut u bë i përhershëm, pavarësisht se i shënoi vetëm dy gola në 13 ndeshje të Premier Leagues, derisa ishte huazim edicionin e kaluar.

Natyrisht, Erling Haaland theu rekorde kur arriti në Premier League. Ai ishte transferuar nga Dortmundi te Manchester City në vitin 2022.

Por lojtarë të tjerë të njohur, si Jadon Sancho, Timo Werner apo Randal Kolo Muani, e humbën rrugën pasi u larguan nga Gjermania për shifra të mëdha.

Ligë miqësore për sulmuesit

Arsye për këtë mund të jetë se Bundesliga është një vend i lumtur për golashënuesit potencialë.

Bundesliga e kryesoi listën e pesë ligave të mëdha evropiane sa u takon golave të shënuar në edicionin e kaluar. Mesatarja e Bundesligës ishte 3.13 gola për ndeshje, ndërsa e ligave të tjera nën tre. Është liga e vetme ku shënohen mesatarisht më shumë se tre gola për ndeshje për shtatë edicione rresht.

Disa ia atribuojnë këtë faktit që Bayerni ka shënuar fitore të thella ndaj ekipeve më të vogla. Por Gjermania gjithashtu është shtëpi e një ndryshimi taktik në futbollin botëror gjatë 15 vjetëve të fundit.

Linjat e larta mbrojtëse dhe presingu lart në fushë i “shpërblejnë” sulmuesit e shpejtë dhe fizikë që mund të vrapojnë për topin dhe të përfitojnë nga një shkëputje e papritur. Ekipet e dobëta shpesh janë të orientuara të marrin rreziqe në vend që ta “parkojnë autobusin” dhe të mbrohen thellë.

Rindërtimi i karrierës

Sheshko do ta ketë parë sa e vështirë mund të jetë ta rifitosh ritmin pas dështimit me një klub të ri.

Kur Werner u kthye në Leipzig në vitin 2023, pas një periudhë të dështuar te Chelsea, ai po garonte për hapësirë me Sheshkon. Dhe përfundimisht humbi nga slloveni.

Përpjekja e Wernerit për një tjetër kthim në formë, duke luajtur si huazim te Tottenhami, dështoi. Ai nuk e shënoi asnjë gol në Premier League në edicionin e kaluar.

Disa lojtarë nuk rikuperohen kurrë plotësisht. Pika kulmore e karrierës së Luka Joviqit ishte bashkimi me Real Madridin nga Eintracht Frankfurti në vitin 2019 për 60 milionë euro.

Dikur i cilësuar pasardhës i Cristiano Ronaldos, tani 27-vjeçari ka kaluar te AEK-u në Athinë. Kishte periudha te Frankfurti, Milani dhe Fiorentina.

Transferimi i Omar Marmoush nga Frankfurti te City në janar nuk ishte sukses i madh, por nuk ishte as dështim i dukshëm. Ky edicion mund të jetë vendimtar për të ardhmen e sulmuesit egjiptian, pas shtatë golave në 16 ndeshje të Premier Leagues në edicionin e kaluar.

Kai Havertz ishte fitues i Ligës së Kampionëve me Chelsean, por si duket ende nuk e ka arritur potencialin e plotë. Havertz prej vitit 2023 është tek Arsenali.

Nuk është e qartë sa do të luajë në skuadrën e madhe të Chelseat ish-lojtari i Leipzigut, Christopher Nkunku. Ai i shënoi 15 gola në edicionin e kaluar, por vetëm tre në Premier League.