Futboll

Sheji është i vetëdijshëm për momentin festiv, por vlerëson rëndësinë e ndeshjes

Blerton Sheji

Blerton Sheji është prej lojtarëve të rëndësishëm te Drita e Gjilanit. Mbrojtësi i krahut të majtë ka të kaluar te Shkëndija e Tetovës, me të cilën Drita përballet të enjten nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Konferencës.

Ndeshja në “Fadil Vokrri” do të jetë festë shqiptare. Për herë të parë dy skuadra shqiptare takohen në fazën e ligës përkatësisht fazën grupore të kupave evropiane. Në stadium do të jenë dy grupet e tifozëve, ndërsa klubet janë kujdesur që ndeshja të ketë frymë festive. Ndeshja zhvillohet në natën para Festës së Flamurit.

Sheji çmon faktin që dy skuadra shqiptare takohen në Evropë. Por ka folur edhe për rëndësinë e rezultatit.

Si Drita ashtu edhe Shkëndija e kërkojnë fazën nokaut të Ligës së Konferencës.

“Patjetër që Shkëndija ka qenë një etapë e rëndësishme për mua dhe kam respekt të madh për klubin dhe tifozët. Por jam profesionist. Sot jam lojtar i Dritës dhe gjithë emocionet i kam të fokusuara te skuadra ime, me qëllimin e qartë – fitimin e ndeshjes”, ka thënë Sheji për KOHËN.

25-vjeçari është nga Veleshta e Ohrit. Pos te Shkëndija ka luajtur për Strugën e Shkupin. Te Drita është prej vitit të kaluar. Mbrojtësi i krahut ka luajtur për Shqipërinë U20 e U21 dhe po ashtu për Maqedoninë U21. 

“Është veçanërisht e rëndësishme sepse përballen dy klube shqiptare ne arenën ndërkombëtare dhe kjo e rrit peshën e takimit. Por për mua, veçantia qëndron te fakti që do të jap maksimumin për fanellën që mbaj sot. Dua ta ndihmoj Dritën të arrijë objektivin dhe kjo është ajo që më motivon”, ka shtuar Sheji, duke vënë theksin te rëndësia e ndeshjes.

Në paraqitjen debutuese, Drita është ende pa humbje në fazën e ligës në “Conference League”. Ka një fitore e dy barazime. Me pesë pikë e mban vendin e 13-të që dërgon tutje. Shkëndija ka një fitore, një barazim e një humbje. Me katër pikë është në vendin e 21-të, që po ashtu dërgon në fazën nokaut. Në fazën e ligës janë gjashtë xhiro.

Sheji është dalluar me paraqitje të mira në ndeshjet e kaluara evropiane. Dhe pret të vazhdojë njëjtë edhe të enjten mbrëma në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Synimi është i qartë: të bëjmë një paraqitje të fortë, dinjitoze dhe të synojmë rezultat pozitiv. E dimë që na pret një kundërshtar i fortë, por edhe ne jemi ekip i gatshëm, me karakter dhe me një grup që e di çfarë kërkon në fushë. Do të futemi për të luftuar deri në fund”, ka thënë Blerton Sheji.

Mbrojtësi tjetër i Dritës, Egzon Bejtullai, ka luajtur gjatë për Shkëndijën e Tetovës. Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është nga Shkupi. Drita vazhdimisht ka pasur lidhje të fortë me shqiptarët në Maqedoni të Veriut.