Futboll

Shaqiri ende e shijon futbollin dhe synon tituj të tjerë: Jam fitues

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri | Foto: Blick.ch

Xherdan Shaqiri ende po e shijon futbollin, ndërsa në fushën e lojës ndihet si adoleshent. Këtë 34-vjeçari e ka thënë në një intervistë të gjatë për gazetën e madhe zvicerane, “Blick”.

Shaqiri është kapiten dhe lider i Baselit. Këtë skuadër në edicionin e kaluar e udhëhoqi drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës. Edhe këtë edicion Baseli është në garë për titull, ndonëse po përballet me konkurrencë të madhe.

Në intervistën e gjatë, Shaqiri fillimisht është pyetur se sa i vjetër ndihet në fakt. 

“Është pyetje e gabuar. Duhet të më pyesësh se sa i ri ndihem”, ka thënë Shaqiri duke qeshur. Më pas është pyetur nëse ndihet më i ri se 34-vjeçar.

“Po, do të thosha. Së paku në fushën e futbollit unë ende ndihem si tinejxher. Është e rëndësishme për mua që gjithnjë të shijoj futbollin. Vetëm në këtë mënyrë mund të performoj dhe të jem i suksesshëm”.

Shaqiri ka pasur karrierë të madhe si lojtar. Ka luajtur dhe ka fituar trofe në vende të ndryshme. Ndër të tjera ishte te Bayerni e Liverpooli.

“Në të gjitha vendet ku kam luajtur gjatë karrierës, kam përjetuar kultura të shumta dhe kam mësuar disa gjuhë. Kjo më ka ndihmuar edhe jashtë fushës. Më ka mësuar si të qasem me të gjitha llojet e njerëzve. Mendoj se njëra prej anëve pozitive të mia është që përshtatem shumë mirë me të gjithë. Për shembull mund të fluturoj për në Afrikë të Jugut nesër dhe me gjasë do të integrohesha pa asnjë problem”, ka thënë Shaqiri.

Ai e vlerëson të rëndësishme që në fushë të ketë seriozitetin e duhur kur është e nevojshme. E di që të gjendet balanca e duhur mes argëtimit dhe seriozitetit nuk është e lehtë. Por thotë se ia ka dalë shumë mirë. 

Shaqiri është shumë kërkues ndaj bashkëlojtarëve te Baseli. Thotë se te Baseli gjithnjë kërkohet shumë nga lojtarët dhe se ata janë në skuadër për të fituar trofe. Pranon se kjo sjell presion, të cilin duhet ta përballojë skuadra.

Kosovari ka treguar se kalon shumë mirë me trajnerin e Baselit, Ludovic Magnin, me të cilin flet vazhdimisht.

Foto: Blick.ch

Shaqiri ka thënë se lojtari duhet të jetë në gjendje të motivojë veten çdo ditë.

“Unë jam fitues dhe gjithnjë kam dashur të fitoj. Kur dal në fushë nuk brengosem nëse jam përballë një top-ekipi evropian apo një ekipi të kategorisë së tretë zvicerane në ndeshje për kupë. Dua që ne, si ekip, t’i tregojmë gjithë Zvicrës që mund ta përsërisim suksesin e edicionit të kaluar”, ka thënë Shaqiri.
Lojtari nga Zhegra thotë se është normale që ekipi varet shumë prej tij, duke ditur që ai ekzekuton të gjitha goditjet e lira dhe goditjet nga këndi.

Në Superligën e Zvicrës, Shaqiri ka humbur tri penallti rresht. Por ai ka thënë se nëse ndihet mirë do të gjuajë penalltitë sërish. Thotë se qëndron pozitiv lidhur me këtë. 

Gjatë karrierës, Shaqiri është përballur me lëndime të shpeshta. Por në vjeshtë nuk e pësoi asnjë lëndim dhe është i lumtur për këtë. Ai ka theksuar se trajneri i përgatitjes fizike dhe stafi i mjekëve i Baselit po bëjnë punë shumë të mirë.

Shaqiri vlerëson se bëri mirë që u kthye te Baseli.

“Mendoj se kthimi im te Baseli është tregim i shkëlqyer. Dhe që është vërejtur edhe jashtë Baselit. Kam ende kontratë dhe nuk mund të them se çka sjell e ardhmja. Për mua është e rëndësishme një gjë tani, që në vitet që jam këtu të fitoj sa më shumë tituj që është e mundur”.

Ylli i dikurshëm i Zvicrës ende nuk mund ta imagjinojë veten si lojtar i pensionuar. Ka përsëritur se e shijon futbollin çdo ditë.

“Asnjëherë nuk kam bërë plane për kohë të gjatë. Ndoshta pas një viti e gjysmë papritur e humbi interesimin për futbollin. Dhe kur të më përfundojë kontrata do të jem gati 37-vjeçar. Nëse në mëngjes zgjohem dhe nuk ndihem gati për stërvitje, atëherë do të tërhiqem”.


E ardhmja e Shaqirit mund të jetë te klubi ku ka blerë aksione

Gjatë intervistës së gjatë për “Blick”, Xherdan Shaqiri është pyetur edhe për klubin Rapperswil, ku tashmë ka një pjesë të aksioneve. 

Bëhet fjalë për klub të kategorisë së dytë zvicerane.

“Nuk jam përfshirë në Rapperswil pa arsye. Kemi plane të mëdha për klubin. Është hap i mirë për të parë nga afër aspekte të ndryshme të drejtimit të një klubi. Por po ashtu përfshin shumë punë. Mundohem të përcjelli çdo ndeshje në shtëpi, kur është e mundur”, ka thënë Shaqiri.

Ai nuk e di nëse do të drejtojë ndonjë klub në të ardhmen. Ka thënë se po punon edhe për t’u pajisur me licenca të trajnerit. Por është e sigurt se Xherdani do të mbetet në futboll edhe pasi ta përfundojë karrierën si lojtar.

“Ndoshta do të luaj për Rapperswilin edhe vetë. Kjo qartë se është një mundësi. Klubi do të jetë 100-vjeçar në vitin 2028. Tani e dini synimin tim për të ardhmen”, ka thënë Shaqiri duke qeshur.

Ai ka thënë se verën e ardhshme planifikon të udhëtojë për në SHBA dhe të përcjellë disa prej ndeshjeve të Kupës së Botës në futboll. Ndoshta edhe finalen.