Kur historianët e futbollit të shkruajnë për seritë më të çuditshme dhe më të jashtëzakonshme të penalltive, fitorja e futbollisteve të Anglisë ndaj Suedisë do të jetë një “artefakt i çmuar”.
Nga 14 penallti që u gjuajtën të enjten mbrëma në ndeshjen e Kampionatit Evropian në Zvicër, vetëm pesë u realizuan. Gjashtë u pritën nga portieret dhe tri të tjera, të Suedisë, përfunduan jashtë.
Anglia në fund fitoi 3:2 në penallti ndaj Suedisë dhe bëri vend në gjysmëfinale të Euro 2025.
Por cilat janë seritë më të veçanta të penalltive?
Humbje dhe vetëm humbje
Anglia u bë përfaqësuesja e parë në Kampionatin Evropian të futbollisteve që i humbi tri penallti radhazi dhe prapë kaloi tutje. Shkalla e realizimit të penalltive prej 36 për qind, të enjten në Zurich, ishte më e ulëta nga çdo seri penalltish në histori të Evropianëve. Ishte edhe më e ulët se gjysmëfinalja e vitit 2017 mes Danimarkës dhe Austrisë.
Në atë seri, Danimarka avancoi me fitoren 3:0 në penallti. Me katër gjuajtje të tjera, duke i përfshirë tri nga austriaket, nuk u realizua.
Por për serinë më të keqe të penalltive në skenën e madhe evropiane, duhet të kthehemi në finalen e Kupës Evropiane të vitit 1986.
Pas 120 minutave të lodhshëm dhe pa gola mes Barcelonës dhe Steaua Bukureshtit, rumunët fituan 2:0 në penallti. Nga tetë goditje nga pika e bardhë, vetëm 25 për qind përfunduan në rrjetë. Të katër goditjet nga lojtarët e Barçës u pritën nga portieri i Steauas, Helmuth Duckadam.
Derisa rezultat i çuditshëm i asaj ndeshjeje me penallti mund t’i atribuohet shkëlqimit të portierëve, ka disa shembuj që mund t’i atribuohen drejtpërdrejt paaftësisë.
Në shkurt të vitit 2020, ndeshja për Superkupë të Japonisë midis Vissel Kobe dhe Yokohama Marinos përfundoi 3:2 për Visselin. U ekzekutuan plot 14 penallti dhe nëntë radhazi u humbën.
Të dy skuadrat i shënuan penalltitë e para. Më pas Yokohama i humbi pesë me radhë, ndërsa Visseli dështoi katër herë rresht.
E veçantë është edhe finalja e Kupës së Finlandës e vitit 1985. Haka e mposhti HJK-në me rezultatin 2:1, pasi shtatë penalltitë e para nga të dyja skuadrat u humbën. Gjysmëfinalja e Copa Libertadores e vitit 1990, mes Olimpias së Paraguait dhe Alteico Nacionalit të Kolumbisë, po ashtu ishte unike. Portieri i Nacionalit, Rene Higuita, i njohur për stilin e flokëve, i priti katër penallti, por më pas e humbi goditjen vendimtare. Ngjashëm ishte të enjten mbrëma me portieren e Suedisë, Jennifer Falk.
Ajo i priti katër penallti, që është rekord për Evropianin e futbollisteve. Por prapë ishte në mesin e humbëseve. E mori përgjegjësinë për ta gjuajtur penalltinë e pestë, por topi shkoi larg mbi portë. Nëse do të realizonte, Suedia do të ishte në gjysmëfinale.
Seri të gjata
Shumë tifozë të futbollit i duan penalltitë. Drama, kthesat, lavdia e mundshme. Por ndonjëherë seritë e penalltive zgjasin më shumë se që duhet.
Në një ndeshje në Izrael ishin gjuajtur 56 penallti. Rezultati në fund ishte 23:22.
Në futbollin profesionist anglez seria më e gjatë u regjistrua edicionin e kaluar. Aston Villa U21 e mposhti Blackpoolin me rezultat 18:17. U gjuajtën 31 penallti nga të dyja skuadrat, para se të pritej e 32-ta.
Në futbollin ndërkombëtar seria më e gjatë në Kupën e Botës për futbolliste ishte në vitin 2023. Australia fitoi 7:6, ndërsa u gjuajtën gjithsej 20 penallti.
Tifozët e Liverpoolit kanë kujtime të mira nga seritë e gjata. Në Kupën e Ligës skuadra e tyre fitoi 14:13 ndaj Middlesbrough në vitin 2014 dhe 11:10 ndaj Chelseat në finalen e vitit 2022.
Kujtime të tjera kanë tifozët e Manchester Unitedit. Finalja e Ligës së Evropës e vitit 2021, u humb 11:10 nga Villarreali. Portieri David De Gea e humbi gjuajtjen vendimtare.
Të martën Hamrun Spartans nga Malta fitoi 11:10 ndaj Zhalgirisit të Lituanisë në ndeshjen e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Në histori të futbollit ka edhe plot seri kundërthënëse të penalltive.