Futboll

Serbia nuk e pret Anglinë në Beograd, ende pa vendim për ndeshjen me Shqipërinë

Serbia-Anglia

Më 9 shtator luhet ndeshja mes Serbisë dhe Anglisë, e vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2026 në futboll. Por kjo ndeshje nuk do të zhvillohet në Beograd.

Mediumet serbe kanë njoftuar të martën se Federata e Futbollit e Serbisë ka vendosur që ndeshja të luhet në Leskovc, në stadiumin “Duboçica”.

Ky stadium ka kapacitet prej 8000 ulëseve dhe nuk është në mesin e tre më të mëdhenjve në Serbi.

Është pritur që ndeshja të luhet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, që ka kapacitet prej 55 mijë vendeve. Por federata serbe ka vendosur për stadium dukshëm më të vogël.

Sipas “b92.net”, është vendosur për Leskovc, “pasi fusha është më e vogël dhe kjo u pamundëson anglezëve që të kombinojnë lehtë, ndërsa fakti që tribunat janë shumë pranë fushës u mundëson tifozëve që të bëjnë presion më të madh ndaj mysafirëve”.

Më 11 tetor, Serbia e pret Shqipërinë. Por ende nuk ka vendim se ku do të organizohet kjo ndeshje.

Ndeshja e 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë zhvillohet në Arenën Kombëtare në Tiranë.