Futboll

Selektori i Serbisë: Në Shqipëri do të bëheshin dy milionë tifozë po t’i zinte stadiumi

Selektori i Serbisë në futboll, Dragan Stojkoviq

Selektori i Serbisë në futboll, Dragan Stojkoviq

T: Stojkoviq: Dy milionë të interesuar për ndeshjen në Tiranë, jemi miq të futbollit

 

T: Stojkoviq: Dy milionë të interesuar për ndeshjen në Tiranë, jemi miq të futbollit

 

Beograd, 2 qershor (KD) – Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, e di që interesimi për ndeshjen Shqipëri – Serbi është shumë i madh. Ai thotë se dy milionë të interesuar ishin për ndeshjen që zhvillohet të shtunën në Arenën Kombëtare në Tiranë.

Por Stojkoviq nuk pret të ketë telashe. Ai thotë se dy federatat kanë raporte të shkëlqyera dhe se pritja e përfaqësueses së Serbisë do të jetë shumë e mirë.

Shqipëria e Serbia takohen në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026 në futboll. Për Shqipërinë është ndeshja e tretë, ndërsa për Serbinë e para.

Në konferencën e gjatë për shtyp, të mbajtur të hënën paradite në Beograd, Stojkoviqi ka thënë se ndeshjen e shikojnë vetëm në aspektin sportiv.

“Ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ata dhe për ne. Por është vetëm ndeshje. Janë miqtë tanë të futbollit, do ta organizojmë bashkë Evropianin për të rinj. Në këtë ndeshje shikojmë vetëm në aspektin sportiv.  Terreni do të tregojë kush është më i mirë. Kurrfarë tensionesh politike, kurrfarë porosi të tifozëve, kurrfarë deklaratash të disa të çmendurve që duan të krijojnë gjendje lufte nuk na interesojnë dhe nuk do të jetë ashtu. Jam i bindur se do të kemi pritje shumë të mirë dhe që organizimi i ndeshjes do të jetë plotësisht në kontroll dhe nuk mund të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme që mund të na shokojë”, ka thënë Stojkoviq.

Selektori serb pret atmosferë të zjarrtë në tribuna. Por thotë se kjo është e natyrshme.

“Nga përvoja e di që do të kemi pritje të mirë, në kuptimin e mikpritjes, njëjtë si në ndeshjen e revanshit te ne. Që do të jetë atmosferë në tribunë, e si të jetë ndryshe? A do të qëndrojnë ulur dhe të shikojnë? Natyrisht që do të anojnë, që do të provojnë të na dekoncentrojnë. Do të tentojnë të bëjnë gjithë atë që bëjnë tifozët për ekipin e tyre. Mendoni se parisienët ishin të mirë në raport me tifozët e Interit? Janë dëgjuar lloj-lloj fjalësh. Por terreni është ai që e sjell rezultatin. Kështu që ne jemi plotësisht të fokusuar që ta luajmë ndeshjen dhe në këtë frymë edhe përgatitemi”, ka shtuar Stojkoviq.

Ai ka vazhduar duke thënë se qëllimi i Serbisë është të fitojë në Tiranë, ndonëse ka vlerësuar kuqezinjtë. 

“Vlerësoj se Shqipëria është ekip jashtëzakonisht i mirë, të mos i numëroj lojtarët që luajnë në top-pesë ligat evropiane. Është ekip shumë i mirë dhe shumë i fortë. Por kjo nuk do të thotë se shkojmë për t’u mbrojtur apo me flamur të bardhë. Këtë nuk do ta shihni”.

Një gazetar i ka thënë Stojkoviqit se të interesuar për ndeshje ishin mbi 200 mijë persona.

“Dy milionë, vetëm që nuk ka stadium me atë kapacitet, asnjë në botë. Më thonë që i kanë kërkuar dy milionë bileta. Por është gjithnjë rrëfimi i njëjtë. Gjithnjë ngrihet tension i njëjtë. Është atmosferë normale para një ndeshjeje të rëndësishme. Natyrisht se rivaliteti ekziston dhe do të ekzistojë gjithnjë. Por ne i shohim si miq të sportit dhe ata na shohin njëjtë. E di që raportet mes dy federatave janë në nivel jashtëzakonisht të lartë. Lojtarët janë mjaftueshëm me përvojë që të përballojnë këtë atmosferë elektrizuese. Nuk janë fëmijë që janë për herë të parë në stadium. Pres reagim të shkëlqyer dhe një Serbi të vendosur për atë që do që ta fitojë ndeshjen”.

 

Stojkoviqi ka përmendur edhe ndeshjen e kaluar me Shqipërinë në Elbasan. Ka thënë se asgjë nuk ndryshon pos periudhës kohore. Ka shtuar se aq sa ishin në stadium në atë ndeshje, janë edhe në stërvitje. Në atë ndeshje atmosfera ishte shumë e zbehtë, ndërsa Serbia kishte shënuar fitore.

“Është pritur të jetë ferr dhe mezi kam pritur të shoh si do të jetë. Asgjë nga ajo që pritej. Por kur del në terren ajo përreth më nuk ekziston, asgjë. A janë 100 mijë, apo 50 mijë, apo 20 mijë, kjo nuk ka rëndësi me atë që ndodh në terren. Do të doja që të jetë stadiumi plot. Që të jetë atmosfera super, pasi lojtarët motivohen më shumë dhe nuk kanë të drejtë në shëtitje, por e kanë adrenalinën që është e nevojshme.”, ka theksuar Stojkoviq.

Në konferencë ai foli kryesisht për lojtarët që mungojnë, e që janë të shumtë. Shumë lojtarë të rëndësishëm të Serbisë janë larguar gjatë kohës së Stojkoviqit, por ai ka mbrojtur dhe ka arsyetuar të gjitha vendimet.

“Është me rëndësi të fillojmë fort, të fillojmë pozitivisht dhe të fillojmë me fitore”, ka përfunduar Stojkoviq.