Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, menjëherë pas shortit të tërhequr të enjten në Cyrih të Zvicrës, i ka thënë përzgjedhësit të Rumanisë, Mircea Lucescut, se dëshiron që të përballet me të në finale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.
Kështu të paktën ka shkruar të premten mediumi rumun, “Golazo”.
Të dy përzgjedhësit ishin të pranishëm në ceremoninë e tërheqjes së shortit.
Kosova, që në short ishte në vazon e tretë, plejofin e siguroi nga pozita e dytë në Grupin B dhe do të luajë në gjysmëfinale me Sllovakinë në udhëtim. Ndërkohë Rumania e siguroi plejofin pasi ishte në mesin e katër përfaqësueseve që fituan grupet në Ligën e Kombeve dhe ishte në vazon e katërt për short.
Rumania ndeshjen gjysmëfinale e luan në udhëtim te Turqia. Nëse Kosova e eliminon Sllovakinë dhe Rumania fiton ndaj Turqisë, finalja Kosovë – Rumani për kualifikim në Botëror do të luhej më 31 mars në “Fadil Vokrri’.
80-vjeçari Lucescu ka folur për mediumin “Golazo” dhe ka theksuar se 59-vjeçari Foda i ka thënë atij se do të dëshironte që finalen ta luajnë së bashku.
“Foda më uroi fat dhe më tha se do të donte që ne të kualifikoheshim dhe të luanim në finale me të, me Kosovën. Unë i thashë: ‘Shpresoj që kësaj radhe ju do të luani deri në fund! Apo po planifikoni që të largoheni nga fusha sërish? Ai nuk më tha asgjë”, ka thënë Lucescu, sipas mediumit rumun.
Katër ndeshjet e kaluara të Kosovës me Rumaninë kanë qenë me plot tension. Kosova e ka një barazim dhe tri disfata ndaj rumunëve.
Dy ndeshje u takuan kualifikimeve për Evropianin e vitit 2024 dhe dy të tjera i takuan Grupit C5 të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen e fundit, të cilën Kosova e humbi me rezultat zyrtar, ka pasur përplasje mes lojtarëve në fushë, ndërsa në tribuna nisën thirrje “Serbia, Serbia”.
Lojtarët e Kosovës pasi dëgjuan këto thirrje vendosën të futen në dhomat e zhveshjes dhe të mos e vazhdojnë më atë ballafaqim. UEFA e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar në të mirë të Rumanisë, vendim që e konfirmoi edhe CAS-i.
Kosova e Rumania do të luajnë edhe nëse i humbin ndeshjet gjysmëfinale të plejofit.
FIFA ka vendosur që përfaqësueset humbëse të gjysmëfinaleve të takohen po më 31 mars, kur janë edhe finalet. Edhe ai ballafaqim do të zhvillohej më 31 mars në Prishtinë. Ka të tillë që këto ndeshje i vlerësojnë të pakuptimta.