Serie A ka përcaktuar të hënën orarin e ndeshjeve të xhiros së fundit. Xhiroja e 38-të fillon të premten prej orës 20:45 kur zhvillohen dy ndeshjet vendimtare në garë për titull të kampionit të Italisë.
Të premten mbrëma janë ndeshjet Napoli – Cagliari dhe Como – Interi. Një xhiro para fundit, Napoli është lider me 79 pikë. 78 pikë i ka Interi në vendin e dytë. Rrjedhimisht skuadra e Amir Rrahmanit është në pozitë dukshëm më të favorshme në garë për titull. Cagliari është i 14-ti me 36 pikë dhe tashmë ka siguruar mbetjen në Serie A. Como është në mesin e tabelës, përkatësisht në pozitën e dhjetë, me 49 pikë.
Gara në Serie A është shumë dramatike dhe do të vendoset në xhiron e fundit. Të dielën, Interi ishte duke udhëhequr 2:1 ndaj Lazios deri në minutën e 90-të. Por Lazio barazoi 2:2 dhe kështu ia pamundësoi Interit që të dal në vendin e parë.
Edhe Napoli luajti baras, pa gola, në udhëtim te Parma. Madje Napoli fitoi penallti në minutat shtesë, që megjithatë u anulua pas rishikimit të VAR-it.
Nëse skuadrat e kreut kanë pikë të barabarta në fund, atëherë luhet barazh mes tyre për titull të kampionit. Kjo mund të ndodhë nëse Napoli mposhtet, ndërsa Interi barazon.
Të shtunën janë dy ndeshje të xhiros së 38-të, ndërsa ndeshjet tjera vendimtare zhvillohen të dielën nga ora 20:45.