Mohamed Salah mori përkrahje të madhe pas fitores 2:0 të Liverpoolit në Premier League ndaj Brightonit. Kishte duartrokitje nga të gjitha anët e stadiumit “Anfield”, ndërsa tifozët e kënduan këngën e njohur kushtuar “mbretit të tyre egjiptian”.
Ai ishte lojtari i fundit në fushë, ndërsa bëri një përshëndetje të lehtë për tribunën kryesore ku ishte familja e egjiptianit.
Ndoshta një lamtumirë? Vetëm për momentin, me sa duket.
Salah do t’i bashkohet Egjiptit në Kajro në ditët në vijim, ndërsa kjo përfaqësuese përgatitet për Kupën e Afrikës. Por mesazhi pas konferencës për shtyp të trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, ishte i qartë.
“Për mua nuk ka çështje që duhet ta zgjidh”, ka thënë Slot pas ndeshjes të së shtunës. “Për mua ai tani është i njëjtë si gjithë lojtarët e tjerë. Për mua nuk ka asgjë që të flas pas asaj që ndodhi kundër Leedsit”, ka shtuar holandezi.
Në shpërthimin e tij në “Elland Road” të shtunën e javës së kaluar, ku pretendoi se ishte “hedhur nën autobus” nga Liverpooli dhe që nuk kishte raporte me trajnerin Slot, Salah tha se ndeshja ndaj Brightonit mund të jetë lamtumira e tij.
Ai u la jashtë skuadrës për ndeshjen në Champions ndaj Interit në mesjavë, ndërsa luajti si zëvendësues të shtunën. E zëvendësoi në minutën e 26-të të lënduarin Joe Gomez. Dhe tani pritjet janë të mëdha që 33-vjeçari do të kthehet në Liverpool muajin tjetër, pas angazhimit ndërkombëtar.
Planifikohen bisedime mes palëve derisa Salah të jetë me përfaqësuese. Por një javë pas deklaratës së bujshme, ai është parë i qeshur në zonën mikse në “Anfield”. Derisa po kalonte pranë gazetarëve, Salah është pyetur për bisedë.
“Dy javë rresht? Jo, jo”, është tallur Salah.
Nuk ka pasur përpjekje nga Salah për të folur apo për falje publike, por Slot dha “po” të qartë kur u pyet nëse dëshiron që sulmuesi të jetë në skuadër pas Kupës së Afrikës. Slot e Salah kishin një takim të premten, ndërsa shenjat janë pozitive.
“Ajo që u tha mes nesh mbetet mes nesh. Ai ishte në skuadër dhe ishte zëvendësimi i parë”, ka thënë Slot.
Për ndeshjen e pestë rresht Salah nuk ishte në përbërjen startuese të Liverpoolit. Por kur mbrojtësi Gomez u lëndua, Slot ktheu sytë kah banka dhe vendosi për lojtarin që ka shënuar 250 gola për Liverpoolin gjatë tetë vjetëve në klub.
Nuk kishte fishkëllima. Vetëm duartrokitje dhe vlerësime.
Salah nuk shtoi gol tjetër, por bëri asistimin për golin e dytë të Hugo Ekitikes. Ai tani është i përfshirë në 277 gola në 302 paraqitje në Premier League për Liverpoolin. Është shifra më e madhe nga një lojtar për një klub të vetëm të Premier Leagues. E ka kaluar Wayne Rooneyn e Manchester Unitedit që kishte 276 gola apo asistime me Manchester Unitedin.
Një shifër e mahnitshme dhe një dëshmi se sa shumë ka bërë Salah për klubin.
Vlerësimet për paraqitjen e Salahut ishin shumë pozitive. Ekitike tha se të jetë në fushë me Salahun është “bekim”, duke shtuar se “lojtarët si ai na bëjnë që ta duam futbollin”.
Por sulmuesi francez dhe të tjerët te Liverpooli nuk do të jenë në fushë bashkë me Salahun deri në mes të janarit, të paktën. Ai mund të mungojë në tetë ndeshje të skuadrës, nëse Egjipti kualifikohet në finale të Kupës së Afrikës në Marok. Finalja është më 18 janar.
E rëndësishme për Liverpoolin është që skuadra ka dëshmuar se mund të luajë edhe pa Salahun. Në pesë ndeshjet që ai nuk startoi, Liverpooli nuk ka pësuar humbje. Por, për periudhë më të gjatë Salah është i rëndësishëm për skuadrën.
“Veprimi është më i zëshëm se ajo që është thënë në të kaluarën. Ai ishte sërish në skuadër dhe kur është dashur ta bëjë zëvendësimin e parë, e kam aktivizuar atë. Dhe ai është paraqitur ashtu si çdo tifoz, duke më përfshirë mua, do të donte që ai të paraqitej”, ka thënë Slot.
Është e qartë që Slot është i lumtur që mundi ta përzgjedhë Salahun përsëri. Por është e qartë po ashtu që nuk ka një zgjidhje definitive pas një jave turbulluese që përfshiu Salahun, Slotin dhe Liverpoolin.