Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Rrëfimi i veçantë i adoleshentit të radhës që shkëlqeu te Bayerni

Bara Sapoko Ndiaye

Bayern Munichu ka shkruar shumë rrëfime këtë edicion dhe nëse gjërat vazhdojnë njëjtë, do të ketë edhe disa rrëfime të tjera. Fitorja e fundit bindëse në ligë, e teta me së paku pesë gola të realizuar, u shënua në fundjavë. U thye po ashtu rekordi i Bundesligës për gola në një edicion dhe tani pret Real Madridi në çerekfinale të Championsit.

Në fitoren 5:0 ndaj St. Paulit në udhëtim, një prej momenteve më të mira ishte debutimi i Bara Sapoko Ndiayes. Ai u bë tinejxheri i tetë që debutoi në Bundesligë për Bayernin këtë edicion. Kështu Bayerni e kaloi rekordin e Leipzigut që kishte aktivizuar shtatë në një edicion.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndiaye luajti prej minutës së 84-t, ndërsa u bë lojtari i 31-të i shfrytëzuar nga trajnerin Vincent Kompany këtë edicion. Që kur u promovua në elitën gjermane, në vitin 1965, Bayerni asnjëherë nuk ka aktivizuar kaq shumë lojtarë.

Transferimi i ri la përshtypje që në aksionin e parë. Ndiaye dribloi dy kundërshtarë dhe pasoi te Jonathan Tah. Mori duartrokitje nga bashkëlojtari Leon Goretzka.

“Ai bëri punë fantastike”, tha Goretzka.

“Ju mund të shihni që është talent fenomenal. Djalosh shumë i mirë, shumë mirënjohës. Ishte e shkëlqyer të shohësh atë duke realizuar ëndrrën”.

Për dallim nga shumica e lojtarëve të kampusit të Bayernit, rrugëtimi i Ndiayes ishte më i jashtëzakonshëm. Përmes akademisë në Gambi, që quhet Gambinos Stars Africa, e ku shumicën e aksioneve i ka Red&Gold Football, një iniciativë e përbashkët e Bayernit dhe Los Angeles FC, mesfushori provoi fatin në Mynih që në vitin 2024. Kishte qëndruar për dy javë për stërvitje te Bayerni dhe kishte luajtur me ekipin e tij kundër ekipit U19 të Bayuernit. Dhe kishte lënë përshtypje.

Në shkurt dhe mars të vitit të kaluar, Ndiyae u kthye në Mynih. Ushtroi me U19 dhe me ekipin rezervë të Bayernit, por po ashtu kishte rastin të përcillte stërvitjet e ekipit të parë të Bayernit. Trajneri pëlqeu atë që pa, por Ndiaye fillimisht kaloi te Grasshopperi në Zvicër, që është klub partner i rrjetit Red&Gold. Ndiaye kaloi dy muaj në Zvicër dhe në janar 2026 u huazua nga akademia afrikane te Bayerni.

Si joevropian ai nuk lejohet të luajë për ekipin amator dhe atë U19 të Bayernit, ndonëse me 18-vjet mosha ia mundëson. Ai është pjesë e ekipit profesional dhe do të debutonte më herët sikur të mos kishte një lëndim muskulor.

“Ai ka ushtruar me ekipin për katër muaj e gjysmë dhe është paraqitur shumë mirë”, thotë drejtori sportiv, Max Eberl. “Dhe hyri në lojë shumë mirë. Ai nuk ishte fare nervoz. Menjëherë kishte ndikim në mesfushë”.

Ndiaye kompletoi 17 pasime nga 17 tentime ndaj St Paulit. I kishte 26 prekje dhe tri driblime të suksesshme. Lojtari senegalez impresionoi me kurajën dhe fizikun e tij. Ai tashmë ka thyer rekordin e shpejtësisë në kampusin e Bayernit, duke arritur shpejtësi maksimale prej 36 kilometra në orë.
Ndiaye mund të qëndrojë më gjatë te Bayerni, tek e cila skuadër po lirohen disa vende në mesfushë. Secili lojtar që kalon nga Gambia do të ëndërronte një mundësi të tillë.