Georgi Minoungou po shkruan rrëfim shumë inspirues në Kupën e Afrikës në futboll. Sulmuesi, i cili sheh vetëm me syrin e djathtë, e udhëhoqi Burkina Fason drejt fitores së madhe në kampionatin afrikan.
23-vjeçari hyri në fushë në minutën e 79-të, kur rezultati ishte 0:0. Guinea Ekuatoriale kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 85-të të ndeshjes së luajtur të mërkurën. Por Minoungou shënoi për 1:1 në minutën e 95-të, ndërsa Burkina Faso e shënoi golin e fitores 2:1 në minutën e 98-të nëpërmjet Edmond Tapsobas.
Rrëfimi i Minoungout është i dhimbshëm. Në vitin 2022 ai u transferua nga kategoria e dytë çeke tek ekipi rezervë i Seattle Sounders në SHBA. Pas një viti e gjysmë ai u promovua në ekipin e MLS-së dhe u lejua të shkonte në kampin stërvitor. Megjithatë udhëtimi për në Marbella u kthye në ankth.
Pas disa stërvitjeve syri i tij filloi të fryhej për shkak të një infeksioni. Në fillim ai nuk mendonte se ishte diçka serioze. Por gjendja e syrit u përkeqësua së shpejti.
“U bë i zi, pastaj i kuq. Pas dy javësh syri u bë plotësisht i bardhë”, ka treguar sulmuesi në një intervistë më herët.
As ndërhyrja kirurgjikale urgjente nuk mundi t’ia shpëtonte syrin e majtë. Nervat i kishin vdekur plotësisht.
Iu tha që nuk do të mund të luante më futboll asnjëherë. Por Minoungou refuzoi të pranonte këtë. E pyeti klubin nëse mund të vazhdonte me stërvitje.
“Mendova, nëse jam i mirë do të vazhdojë. Nëse jo, do të tërhiqem”, ka thënë futbollisti.
Dhe ai ishte i mirë.
“Kam ushtruar edhe më shumë se në të kaluarën. Nuk kam mundur t’i shoh më të gjitha, por kam mundur të ndiej lojën. Kam mundur ta lexoj atë. Jam përshtatur. Është e pabesueshme ajo që truri ka kapacitet. Ndonjëherë nuk e shoh mbrojtësin, e ndiej atë. Dhe më pas thjesht lëvizi në anën tjetër. Instinkti, njohuria për lojën, ndjenja, të gjitha bëhen bashkë”, shpjegon ai.
Statusi si lojtar reprezentues me gjashtë paraqitje e tri gola, është falë Kupës së Botës për Klube që u mbajt në verë.
“Kjo ngjarje më bëri të njohur pasi MLS-ja jo gjithnjë ka vëmendje të madhe”, ka thënë Minoungou në një intervistë të Konfederatën e Futbollit të Afrikës.
Te Burkina Faso duhet të jenë shumë të lumtur që Minoungou, që është i lindur dhe i rritur në Bregun e Fildishtë, është zbuluar më në fund në Amerikën e largët.