Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Rrahmani u kthye me fitore 4:0, por i duhet ende kohë për ta gjetur ritmin

Amir Rrahmani

Amir Rrahmani u kthye me fitore bindëse te Napoli. Kapiteni i Kosovës i mungoi skuadrës italiane që nga 15 shkurti për shkak të një lëndimi të hamstringut. I ka munguar edhe Kosovës në ndeshjet e plejofit për kualifikim në Botëror.

32-vjeçari të premten mbrëma luajti 90 minuta për Napolin në fitoren 4:0 ndaj Cremoneses. Ndeshja i takoi xhiros së 34-t të Serie A.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas ndeshjes, Rrahmani foli në konferencë për shtyp. U pyet nëse është rastësi që u kthye me fitore bindëse dhe pa gol të pësuar.

“Varet nga skuadra, qasja dhe përkushtimi. Ishte qasja e duhur dhe ky është rezultati që morëm nga kjo ndeshje”, ka thënë Rrahmani.

Napoli ka humbur garën për titull, por synon të përfundojë në pozitën e dytë në Serie A.

“Kam munguar më shumë se dy muaj dhe është vështirë të gjej ritmin. Ishim me fat pasi kemi shënuar shumë gola dhe ishte më e lehtë për mua. Nuk ishte vetëm mungesa ime, kishte shumë mungesa. Ndoshta ishim edhe pafat”, ka theksuar mbrojtësi i qendrës.

Ai ka thënë se të gjithë në skuadër e dinë kur luajnë mirë apo jo. Ka theksuar se skuadra nuk luajti mirë në humbjen nga Lazio, në xhiron e kaluar, por këtë herë ishte mirë.

“Duhet të përpiqemi ta mbajmë vendin e dytë, që ishte arritje e madhe në vitet e fundit. Kemi fituar ‘Scuddetton’ dhe Superkupën, gjë që është pozitive”.

Napoli është përballur me lëndime të shumta gjatë gjithë edicionit. Por a do të kishte rezultate më të mira sikur skuadra të kursehej nga lëndimet?

“Është vlerësim personal. Mendoj se mund të kishim bërë shumë gjëra të mira, por ishim të pafat. Duhet të luftojmë deri në fund dhe të përpiqemi të qëndrojmë lart në tabelë”, ka theksuar Amir Rrahmani.

Ai është te Napoli nga viti 2020. Tashmë ka arritur marrëveshje për kontratë të re, që pritet të zyrtarizohet së shpejti nga klubi napolitan.

Me Napolin, kapiteni “dardan” ka fituar dy tituj të kampionit të Italisë dhe Superkupën italiane. Napoli i ka 69 pikë në vendin e dytë, tri më shumë se Milani. Milani e luan të dielën mbrëma derbin me Juventusin, që renditet i katërti me 63 pikë.