Futboll

Rrahmani në formë, gola në tri ndeshje rresht

Albion Rrahmani

Pasi kishte shpërthyer në edicionin e parë te Rapid Bukureshti në Rumani, Albion Rrahmani siguroi transferim te Sparta Praga në Çeki. Klubi çek pagoi shifër të lartë për të siguruar shërbimet e sulmuesit kosovar, por Rrahmani kishte pasur telashe të vazhdonte formën që e kishte në Rumani. I kishte pesë gola e dy asistime për Spartën në 23 paraqitje kampionale në edicionin e kaluar. 

Edicioni i ri, 2025/2026, duket më premtues për 24-vjeçarin. Rrahmani ka shënuar në tri ndeshje rresht për Sparta Pragën. Shënoi gol në fitoren 3:2 ndaj Mlada Bolesavit në kuadër të kampionatit çek. Më pas realizoi në fitoren 4:0 ndaj Aktobes së Kazakistanit në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ndërsa momentin e mirë e konfirmoi të dielën mbrëma me golin ndaj Pardubices, në xhiron e tretë të elitës së Çekisë.

Rrahmani startoi te Sparta dhe shënoi për 1:0 në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Realizoi me goditje nga zona. Fushën e la në minutën e 89-të.

“Nuk mund ta gjykoj nëse është ndryshe nga ai që ishte në pranverë. E shoh si djalë të mirë, është i disiplinuar, profesional. Ka forcë, mund të shënojë gola”, ka thënë për Rrahmanin trajneri i Sparta Pragës, Brian Priske.

“Në përgjithësi jam i kënaqur me dhjetëshen tonë dhe lojtarët ofensivë që shënojnë gola. Sot ishin Albioni dhe Shulo, të enjten Kuchta dhe Birma. Por ajo që është e rëndësishme, është se si e ndihmojnë ekipin në aspektin defansiv”, ka shtuar Priske.

Për formën e Rrahmanit ka folur edhe mesfushori Lukash Sadilek.

“Është gjithnjë me rëndësi për një lojtar të sulmit të shënojë gola dhe të fitojë besim. Mënyra si e përfundoi aksionin është pjesë e tij. Nga ajo që shoh në stërvitje mund të them se ai ka kualitet shumë të madh. Thuajse çdo rast përfundon në gol. I përfundon rastet me shumë saktësi. E tëra që duhet të bëjë është të tregojë pak më shumë forcë. Atëherë do të jetë shkëlqyeshëm”, ka theksuar Sadilek.

Forma aktuale e Rrahmanit është lajm i mirë për selektorin e Kosovës në futboll, Franco Foda. Kosova në shtator fillon kualifikimet për Botërorin 2026, ndërsa Foda do të jetë i lumtur të ketë më shumë sulmues në formë në dispozicion.

Rrahmani dha shenja se po e gjen formën në dy ndeshjet e kaluara të Kosovës. Në miqësoret e qershorit, ndaj Armenisë dhe ndaj Komoreve, Rrahmani i shënoi pesë gola. Realizoi dy herë ndaj Armenisë në fitoren 5:2 e më pas realizoi “hat-trick” në fitoren 4:2 ndaj Komoreve. Nuk ishin ndeshjet më të forta dhe përfaqësueses i munguan lojtarët kryesorë. Por sulmuesi dha sinjale se mund të llogaritet në të. 

Derisa Rrahmani po luan rregullisht te Sparta, Ermal Krasniqi duket se ka telashe nën drejtimin e danezit Priske. Në katër ndeshjet e fundit ka qëndruar në stol, pa fituar asnjë minutë. Startoi ndaj Jablonecit në xhiron e parë, por luajti vetëm në pjesën e parë.