Amir Rrahmani me Napolin nuk arritën të sigurojnë fitore në elitën italiane të futbollit të mërkurën mbrëma. Napoli barazoi pa gola në stadiumin “Diego Armando Maradona” me Parman. Po të mërkurën, por më vonë, Interi fitoi ndaj Lecces, 1:0. Ishin ndeshjet e mbetura të xhiros së 16-të, nga të cilat përfitoi Interi që u shkëput në tabelë në gjashtë pikë me kampionin në fuqi, Napolin. Këto ballafaqime ishin shtyrë për shkak të pjesëmarrjes në Superkupën e Italisë në fund të muajit dhjetor. Napoli triumfoi në Superkupën e organizuar në Arabinë Saudite. Por, në fillim të këtij viti, Napoli nuk e ka formën e njëjtë. Kjo u konfirmua edhe me barazimin ndaj Parmas, që ishte i treti rresht në këtë muaj. Në fillim të janarit, Napoli e regjistroi fitoren e vetme. Por në ndeshjen ndaj Parmas, pati një moment kontrovers. Goli i anuluar i skocezit Scott McTominayt bëri që të ketë tjera diskutime në lidhje me referimin në Itali, por edhe vendimet që merren nga dhoma e VAR-it.
I tillë ishte edhe ai i minutës së 11-të në “Diego Armando Maradona”. Mesfushori Stanislav Lobotka pasoi bukur në krahun e djathtë te mbrojtësi Pasquale Mazzocchi, i cili shkoi deri në zonë. Pas një tollovie, topin në rrjetë e shtyu McTominay. Gjyqtari kryesor e pranoi golin fillimisht, e më pas e anuloi pasi kështu iu tha nga dhoma e VAR-it.
Pikërisht për këtë moment ka folur kapiteni i Kosovës në konferencën për shtyp pas ndeshjes. 31-vjeçari Rrahmani, thotë se barazimi mund të ndikojë edhe në garën për titull.
“Të gjithë e kemi parë atë moment. Ne i respektojmë rregullat, por rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Të shohim nëse do të jetë kështu në të ardhmen”, ka deklaruar Rrahmani, i cili e ka komentuar edhe ndeshjen në tërësi.
“Ne padyshim se duhej të reagonim shpejt, të ishim më konkretë dhe të sillnim më shumë kualitet në stilin tonë të lojës në sulm, jo gjithmonë me dy prekje, ndoshta me një prekje ndonjëherë”.
Interi është i pari në tabelë aktualisht pas 20 ndeshjeve me 46 pikë, gjashtë më shumë se Napoli i treti.
Interi ka edhe goldallim më të mirë, me 43 gola të shënuar e 17 të pranuar. Po kaq gola të pranuar i ka edhe Napoli, ndërsa i ka realizuar 30 gola.
Rrahmani garën për titull e sheh shumë të vështirë.
“Na ka munguar vetëm goli, goli që do të ishte i fitores. Ne duhet të vazhdojmë të luajmë ndeshje pas tre ditësh dhe pas gjashtë ditësh sërish. Në çdo ballafaqim duhet të luajmë ndryshe. Duhet të përmirësohemi në atë që nuk e kemi bërë deri tani. Pas çdo ndeshjeje mëson diçka dhe e merr me vete atë që nuk e bën mirë, dhe mundohesh ta përmirësosh. A mund të shkëputet Interi, ose a munden Juventusi dhe Roma të afrohen? Të dyja janë të mundshme. Natyrisht, ne mendojmë për të dyja. Por duhet të mendojmë fillimisht për veten tonë, sepse vetëm ne mund ta bëjmë diferencën. Duhet të fitojmë ndeshje dhe më pas të shohim se çfarë mund të bëjmë në fund”, është shprehur Rrahmani.
Rrahmani në edicionin aktual i ka zhvilluar 18 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa ka kontribuuar me një gol.