Futboll

Rrahje masive e tifozëve të Hajdukut dhe Dinamos, mbi 100 të arrestuar

Rrahje masive e tifozëve të Hajdukut dhe Dinamos, mbi 100 të arrestuar

Ministria e Brendshme e Kroacisë ka bërë të ditur se më shumë se 100 persona janë ndaluar dhe po hetohen pas një përplasjeje të dhunshme midis grupeve të tifozëve në lagjen Pujanke të Splitit, pak orë para ndeshjes së shumëpritur mes Hajdukut dhe Dinamos të shtunën.

Policia ka nisur hetime penale dhe po kryen inspektim të plotë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Mediat lokale raportojnë se përplasja shpërtheu kur rreth 50 tifozë të maskuar të Dinamos, të njohur si “Bad Blue Boys”, mbërritën në lagjen Pujanke, ku u përballën me tifozët vendas të Hajdukut, “Torcida”. Përleshja ndodhi rreth orës 09:15 të mëngjesit, dhe policia arriti shpejt në vendngjarje për të ndalur dhunën dhe për të rikthyer rendin publik.

Policia e Splitit ka shpallur ndeshjen Hajduk–Dinamo, që do të zhvillohet në stadiumin Polud sot në orën 16:00, si ndeshje me rrezik të lartë. Masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm dhe autoritetet kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar incidente të tjera.

VIDEO:

Tifozët e Dinamos që udhëtojnë drejt Splitit do të priten nga policia në dalje të autostradës A1, në stacionin e pagesës në Dugopolje. Pas kontrollit, ata do të shoqërohen drejt stadiumit. Autoritetet u kanë rekomanduar tifozëve vizitorë të mbërrijnë në Dugopolje deri në orën 12:30 për të siguruar hyrjen në kohë në stadium.

Derbi më i madh kroat bëhet edhe më i veçantë për shkak të renditjes tabelare. Hajduku është në pozitën e dytë me 56 pikë dhe kërkon kthimin e titullit pas më shumë se dy dekadash. Dinamo është e treta me 55 pikë. Tabelës i prin Rijeka me 56 pikë.

VIDEO: