Roma italiane ka pësuar humbje në stadiumin “Olimpico” të enjten mbrëma nga skuadra franceze Lille, ndonëse i kishte tri raste për të shënuar nga penalltia në fundin e ndeshjes.
Pas fitores ndaj Nicet në ndeshjen e parë të fazës së ligës në Ligën e Evropës, Roma pësoi disfatë 1:0.
Lille në formë e regjistroi fitoren e dytë, pas triumfit ndaj Brannit në xhiron e parë.
Sulmuesi 22-vjeçar, Hakon Arnar Haraldsson, e shënoi golin e vetëm në ndeshje në minutën e gjashtë.
Artem Dovbyk dështoi të shënonte dy herë nga 11-metërshi në minutën e 82-të. Penalltia e parë u përsërit. Portieri Berke Ozer e priti edhe tentimin e dytë të Dovbykut, sulmuesit ukrainas. Portieri i Lillet ishte më i suksesshëm edhe në tentimin e Matias Soules. Soule provoi për herën e tretë nga pika e bardhë, por Ozer nuk u mposht.