Claudio Ranieri refuzoi Italinë për të qëndruar te Roma. Gian Piero Gasperini zgjodhi klubin nga kryeqyteti para Juventusit dhe la Atalantan pasi e shndërroi ekipin nga Bergamo pretendente në Itali dhe Evropë.
Dy trajnerët me flokë të bardhë u ulën përkrah gjatë prezantimit të Gasperinit si trajner i ri i Romës, të martën.
73-vjeçari Ranieri kalon në rol këshillues pasi e nxori si trajner Romën nga kriza. 67-vjeçari Gasperini synon të kurorëzojë karrierën e tij duke lënë gjurmë për herë të parë në njërin prej klubeve të mëdha italiane.
Gasperini pranoi se kishte ofertë nga Juventusi, klubi i qytetit të tij të lindjes dhe ku kaloi periudhë si lojtar.
“Po. Por kisha një ndjenjë se kjo ishte rruga e duhur, pavarësisht të gjitha rreziqeve që më kujtohen vazhdimisht”, ka thënë Gasperini. Ai e ka pasur fjalën te presionin që sjell udhëheqja e ekipit të kryeqendrës, që vazhdimisht paraqitet nën nivelin që pritet.
“Duke marrë parasysh stilin tim të futbollit, ndiej se mund të kem ndikim. Është situatë ideale. Është gjëja që kërkoj tani. Besoj fuqishëm se bëra zgjedhjen e duhur”, ka vazhduar Gasperini.
Gasperini në fakt ka drejtuar klub të madh italian edhe në vitin 2011. Por qëndroi vetëm pesë ndeshje, pa fitore, tek Interi.
Ranieri ka thënë se Gasperini, që firmosi për tre vjet, mund t’i drejtohet atij sa herë që paraqiten telashe.
“Raporti do të jetë si i shokëve”, ka thënë Ranieri. “Nëse i duhet diçka, do të mundohem të bëj zgjedhje. Kjo është puna ime tani”.
Gasperini është trajneri i katërt i Romës brenda një viti e gjysmë, prej se Jose Mourinho u shkarkuar. Daniele De Rossi, Ivan Juriq dhe Ranieri ishin trajnerët pas Mourinhos.
Ranieri mori drejtimin e skuadrës në nëntor, kur Roma po kalonte krizë dhe ishte vetëm në pozitën e 12-të. Ai e udhëhoqi ekipin drejt vendit të pestë, ndërsa Roma humbi vetëm një ndeshje në pjesën e dytë të kampionatit.
Pas shkarkimit të Luciano Spalletit nga posti i përzgjedhësit të Italisë, federata italiane e pyeti Ranierin për të marr drejtimin e përfaqësueses. Ai e refuzoi ofertën.
“E respektoj Italinë, por unë jam me Romën”, ka thënë trajneri i lindur në Romë, kur u pyet për të shpjeguar se çka ndodhi.
Gennaro Gattuso u bë ndërkohë përzgjedhës italian.