Mesfushori Fabian Rieder ishte lojtari i Zvicrës që foli të mërkurën në konferencë për shtyp. Rieder është transferuar tek Augsburgu nga Rennesi francez.
Tek Augsburgu luan së bashku me Elvis Rexhbeçajn. Të premten nga ora 20:45 do të jenë rivalë. Në Basel, Zvicra e Kosova e luajnë ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
“Luajmë kundër Rexhbeçajt, shokut të ri të skuadrës. Por ata janë të pozicionuar mirë në të gjithë skuadrën dhe do të duhet ta shtyjmë veten deri në limit kundër këtij kundërshtari të mirë”, ka thënë Rieder.
Në grup me Kosovën e Zvicrën janë edhe Suedia dhe Sllovenia.
“Nuk do të jetë ecje në park. Të gjitha tri përfaqësueset kanë kualitet të jashtëzakonshëm. Por ne duam ta kalojmë grupin dhe, nëse është e mundur, t’i fitojmë të gjitha tri ndeshjet. Këto janë synimet tona”, ka thënë Rieder, që për Zvicrën i ka 19 paraqitje e një gol.
23-vjeçari thotë se te Zvicra janë gati.
“Kur është fjala për gjëra të rëndësishme, ne gjithnjë ishim gati. Mezi presim të fillojmë”.