Futboll

Rexhbeçaj kërkon më shumë përgjegjësi nga ekipi

Elvis Rexhbeçaj

Skuadra e Augsburgut nuk është duke treguar rezultate pozitive në javët e fundit. 

Në gjashtë ndeshjet e fundit në elitën gjermane, Augsburgu ka katër humbje, një barazim dhe një fitore. Pjesë e Augsburgut është mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj. 

Rexhbeçaj u paraqit në pjesën e dytë të shtunën në disfatën që e pësoi Augsburgu nga Hoffenheimi me rezultatin e thellë, 3:0. 

Rexhbeçaj nuk është i lumtur me situatën që është duke u përballur skuadra ku ai aktivizohet. Ai e komentoi edhe disfatën e fundit. 

“Fatkeqësisht nuk ia dolëm si duhet. Secili prej nesh duhet ta pyes veten pse Hoffenheimi arrin të shfaq më shumë vendosmëri në fushë. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Nuk mund të lejojmë që kundërshtari të ketë më shumë vullnet se ne. Thjesht nuk guxon të na ndodhë. Secili duhet të qëndrojë drejt, me kokën lart dhe të marrë përgjegjësinë. Po flas për veten dhe për të gjithë lojtarët”, u shpreh 28-vjeçari Rexhbeçaj, shkruan të hënën “Kicker”. 

Augsburgu pas 12 xhirove të luajtura ka dhjetë pikë dhe renditet në pozitën e 14-të.