Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Reagime të shumta pas zëvendësimit të portierit të ri në minutën e 17-të

Antonin Kinsky

Tottenhami e zëvendësoi portierin Antonin Kinsky në minutën e 17-të të ndeshjes ndaj Atletico Madridit, pasi ai i pranoi tre gola. Ndeshja e së martës mbrëma në Madrid ishte e para e një të tetës së finales në Champions. Në fund Atletico fitoi 5:2.

Reprezentuesi 22-vjeçar i Çekisë, Kinsky, kishte një fillim të tmerrshëm dhe trajneri i përkohshëm i Tottenhamit, Igor Tudor, e zëvendësoi shpejt atë me Guglielmo Vicarion.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Italiani Vicario ka startuar në shumicën e ndeshjeve të Tottenhamit këtë edicion, por u la në stol për ndeshjen në Madrid, pasi u kritikua për formën e dobët.

Vicario pranoi gol pesë minuta pasi hyri në lojë, ndërkohë që Atletico krijoi epërsi 4:0 për vetëm 22 minuta.

Tottenhami e transferoi Kinskyn nga Slavia Praga për 12,5 milionë funte në janar 2025. Gabimi i tij i parë, që ishte rrëshqitje, i mundësoi Marcos Llorentes të shënonte për 1:0 në minutën e gjashtë. Antoine Griezmann shënoi golin e dytë tetë minuta më pas. Kinsky, që së fundi kishte startuar në tetor, ishte po ashtu fajtor për golin e tretë të Atleticos. Ia dhuroi topin Julian Alvarezit, që shënoi me lehtësi në minutën e 15-të.

Kinsky mbante kokën me duar dhe u largua nga fusha vetëm dy minuta më pas. Ai është mbështetur nga bashkëlojtarët Kevin Danso, Cristian Romero dhe Pedro Porro derisa po largohej nga fusha.

“Nuk kam parë anjëherë një gjë të tillë në fushë të futbollit”, ka thënë ish-portieri i Tottenhamit, Paul Robinson, për vendimin e Tudorit që ta zëvendësojë portierin e ri pas dy gabimeve të rënda.

“Do të jetë shkatërruese për Kinskyn. Nuk do të befasohesha nëse ai ka qarë derisa është larguar. Është gjë e vështirë për të përballuar. Është gjë vetjake nga trajneri. Ai e di që nuk do të jetë këtu gjatë. Qartë se është për vetëmbrojtje dhe pa konsideratë për portierin e ri. Trajneri qartë se nuk e ka ndihmuar këtë rast”.

Romero shkoi dhe foli me Tudorin pak para se Kinsky të zëvendësohej. I pyetur nëse Romero e ka këshilluar që ta zëvendësojë portierin çek, kroati Tudor është përgjigjur: “Vendim i imi, natyrisht”.

I pyetur nëse e meriton të vazhdojë të drejtojë ekipin, Tudori ka thënë: “Nuk është temë për mua. Nuk ka të bëjë me punën time. Ka të bëjë me atë se si të ndihmohet ekipi. Do të jetë gjithnjë për këtë. Në çdo ndeshje ndodhë diçka. Diçka që vështirë shpjegohet”.

Ish-portieri i njohur i Premier Leagues, Peter Schmeichel, ka thënë për CBS Sport: “Tudori e ka shkatërruar plotësisht karrierën e tij. Më vjen shumë keq për të. Kur emri i tij të përmendet në të ardhmen, e gjithë bota e futbollit do ta kujtojë këtë moment. Ai është dashur të përkrahet, të paktën deri në fund të pjesës së parë”.

Ish-portieri i Tottenhamit dhe Anglisë, Joe Hart po ashtu ka folur për momentin e rrallë.

“Zemra ime është thyer për të. Ai kishte 14 minuta të tmerrshëm, ajo rrëshqitje dhe goli i tretë. Nuk e di çka të them. Vetëm jam zemërthyer për djaloshin”.

Ish-portieri i Spanjës dhe Manchester Unitedit, David de Gea, që luan për Fiorentinan, ka postuar një mesazh përkrahës për Kinskyn.

“Ata që nuk ishin portierë nuk e kuptojnë se sa e vështirë është të luash në këtë pozitë. Mbaje kokën lart dhe vazhdo përpara”, ka shkruar De Gea.