Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, mund të luajë ndaj skuadrës më të suksesshme daneze.
Në shortin e tërhequr të mërkurën në Nyon të Zvicrës, është vendosur që për kundërshtare në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, Drita ta ketë Copenhagenin.
Copenhageni është kampion i Danimarkës dhe ekipi më i ranguar që paraqitet në raundin e dytë kualifikues të Championsit.
Për të arritur në raundin e dytë kualifikues të garës elitare evropiane, Drita duhet ta eliminojë skuadrën Differdange nga Luksemburgu në raundin e parë.
Copenhageni ka 16 tituj të kampionit në Danimarkë, ndërsa dhjetë herë është fitues i Kupës daneze. Të dyja janë rekorde në futbollin danez.
Te kjo skuadër në edicionin e fundit në portë ishte Diant Ramaj, që ishte i huazuar. Ai do të kthehet te “verdhezinjtë” e Borussia Dortmundit në fund të këtij muaji.
Copenhageni në garat evropiane paraqitet prej vitit 1992.
Për herë të parë në fazën grupore të Championsit ishte kualifikuar në edicionin 2006/07.
Copenhageni ka luajtur gjashtë herë në fazën grupore të Championsit, në edicionet 2006/07, 2010/11, 2011/12, 2016/17, 2022/23 dhe 2023/24.
Suksesin më të madh në skenën evropiane e ka arritjen në çerekfinale të Ligës së Evropës, në edicionin 2019/2020, ku u eliminua nga Manchester Unitedi.
Drita ndaj Differdanges do të luajë më 8 apo 9 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa dueli kthyes zhvillohet më 15 apo 16 korrik në Luksemburg.
Ndërkohë, ndeshjet e rrethit të dytë kualifikues të Championsit zhvillohen më 22 e 23 korrik dhe 29 apo 30 korrik. Nëse kualifikohet, Drita ndeshjen e parë ndaj danezëve e luan si mysafire.
Drita në Ligën e Kampionëve luan për herë të tretë.
Në edicionin 2018/19 e kaloi raundin preliminar, pas fitoreve ndaj Santa Colomas dhe Lincolnit. Më pas ishte ndalur nga Malmo suedeze në rrethin e parë kualifikues të Championsit.
Në edicioni 2020/21 e kishte mposhtur Inter d’Escaldesin e Andorrës në gjysmëfinale të raundit preliminar. Por humbi me rezultatin zyrtar 3:0 nga Lienfieldi i Irlandës në finale të këtij raundi.
Gjilanasit kanë përvojë gjashtëvjeçare në garat kontinentale.
Të mërkurën kundërshtarët e mundshëm të rrethit të dytë kualifikues i mësuan edhe kampionia e Shqipërisë, Egnatia e Rrogozhinës dhe kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës.
Egnatia luan ndaj Lech Poznanit të Polonisë, nëse e eliminon Breidablikun islandez.
Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, do të përballet me FCSB-në e Rumanisë apo Inter d’Escaldesin e Andorrës. Por fillimisht Shkëndija duhet ta eliminojë skuadrën uellsiane, The New Saints FC.
Drita mund të përballet me skuadër shqiptare nëse eliminohet nga Championsi
Drita mund të luajë ndaj Shkëndijës së Tetovës apo New Saints FC në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, nëse eliminohet nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve.
Ndeshjen e parë, Drita do ta luante në udhëtim.
Shkëndija e TNS-ja do të luajnë për raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.