Nëse dikush nuk ka dëgjuar për Gonzalo Garcian para Kupës së Botës për Klube, tani përfundimisht duhet të ketë dëgjuar për të.
21-vjeçari ka udhëhequr vijën e sulmit të Real Madridit në mungesë të Kylian Mbappes dhe e ka shfrytëzuar maksimalisht rastin e fituar. Mbappe mungoi deri të martën për arsye shëndetësore.
Me tri gola në katër ndeshje, Garcia është golashënuesi më i mirë i “Los Blancos” në Kupën e Botës për Klube në SHBA. Vetëm Angel Di Maria i Benficas ka shënuar më shumë gola deri më tani.
Përveç një periudhe njëvjeçare lart kryeqytetit spanjoll, te Mallorca në edicionin 2018/19, Garcia ka qenë pjesë e Madridit që nga mosha 10-vjeçare. Ai kaloi nga njëra grupmoshë te tjetra dhe bëri paraqitjen e parë me ekipin B të Madridit në mars të vitit 2022. Sulmuesi spanjoll debutoi me ekipin e parë në nëntor të atij viti, por vazhdoi të luajë kryesisht me ekipin B. Golin e parë me ekipin e parë të Madridit e shënoi në çerekfinale të Kupës së Mbretit, ndaj Leganesit në shkurt të vitit 2025.
Pas fitores 3:0 të Realit ndaj Salzburgut, në të cilën ndeshje Garcia e shënoi golin e dytë në Botërorin e klubeve, trajneri Xabi Alonso e krahasoi me legjendarin Raul Gonzalez.
“Ajo që po bën nuk është befasi. E ka bërë këtë shumë herë në ekipin e dytë”, kishte thënë Alonso.
“Ai është nëntëshe tipike. Lëviz mirë dhe e pret rastin e tij. Ka cilësi të Raulit në lëvizjet që i bën”.
Shfaqja e Garcias ka bërë që mungesa e Mbappes mos të vërehet shumë te Madridi deri më tani. Të martën mbrëma spanjolli i ri shënoi golin e fitores ndaj Juventusit.
Ish-ylli i Chelseat, John Obi Mikel, beson se Garcia e ka fituar rastin të startojë edhe kur Mbappe të kthehet në formë.
“Kush ka nevojë për Mbappen kur e ke Garcian?”, tha Mikel. “Jam për djaloshin e ri, ai ishte në formë. Kjo na pëlqen të shohim, lojtarë të rinj që fitojnë mundësi”.
Legjenda Raul, derisa ishte trajner i Real Madridit B, tha se Garcia duhej të ishte në ekipin e parë.
“E di që kjo është një mundësi e jashtëzakonshme në jetën time. Po bëj çdo gjë të mundur që të jem në gjendje të përfitojë nga kjo”, ka thënë Garcia pasi shënoi golin e fitores ndaj Juventusit.