Futboll

Rashica fishkëllehet nga tifozët e Beshiktashit

Milot Rashica

Beshiktashi të enjten mbrëma u mposht në shtëpi 4:2 nga Shakhtar Donetsku, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës. 

Nga minuta e parë për Beshiktashin u paraqit sulmuesi i krahut, Milot Rashica. Ai u zëvendësua në minutën e 60-të për shkak të paraqitjes jo të mirë.

Në momentin e zëvendësimit, Rashica u fishkëllye për kohë të gjatë nga tifozët e Beshiktashit. 

Tifozët nuk ishin të kënaqur me paraqitjen e Reprezentuesit të Kosovës, shkruajnë të premten mediumet turke. 

29-vjeçari, Rashica, në dy edicionet e fundit ishte pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës së Beshiktashit. Ka pasur shumë raportime se Rashica do të largohet nga gjiganti turk në afatin kalimtar të kësaj vere. Por, menaxheri i Rashicës, Altin Lala, në fillim të këtij muaji zbuloi se sulmuesi kosovar do të luajë për Beshiktashin edhe në edicionin e ardhshëm. 

29-vjeçari me Beshiktashin ka kontratë deri në vitin 2027.