Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur për arritjen historike të klubit që drejton. Por ai ka thënë se janë të etur për të tjera suksese. Fitorja është synimi i radhës i Dritës. Kampionia Drita do të përballet me KuPS-in, në kuadër të xhiros së parë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës. Për Dritën është hera e parë që paraqitet në një garë të UEFA-s në nivel klubesh.
Ndeshjen kundër ekipit finlandez, Drita to ta zhvilloj të enjten nga ora 18:45.
“Për të arritur rezultat duhet të bësh futboll të mirë. E dimë se çfarë kemi bërë për të arritur deri këtu. Nuk është punë e lehtë, është e vështirë dhe një motiv shtesë për ne, pasi jemi për herë të parë në këtë fazë po ashtu edhe kundërshtari. E di që kjo është një arritje historike për skuadrën tonë, por e di se mundemi, duhet dhe e kemi obligim moral e profesional që mos të jemi të kënaqur, por të kërkojmë suksese tjera. Hapi i parë për të arritur suksese tjera është që ta nisim me fitore. Do të jetë ndeshje e vështirë, kemi përballë një kundërshtar të mirë, por ky është motivi jonë kryesor”, ka thënë Ramadani të mërkurën në konferencë për media.
Ai e ka cilësuar të vështirë përballjen në Tampere të Finlandës. Por ai pret fitore nga lojtarët e tij.
“Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi të dy ekipet jemi debutues dhe të dy ekipet e duam fitoren. Duhet të jemi të kujdesshëm, të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë me më pak lojtarë, pasi e rëndësishme është të mos pranojmë gol. Në Superligë kemi pranuar gola dhe kjo na ka shqetësuar. Sot futbolli nuk është sport që fiton gjithmonë më i miri, është edhe fati në pyetje. Kemi respekt për çdo kundërshtar derisa fillon ndeshja, pastaj kur fillon, nuk kemi aspak respekt, duam ta mposhtim, shkelim dhe fitojmë. Posedimi i topit duhet të jetë arma jonë”, është shprehur ndër të tjera Ramadani.
Drita në Ligën e Konferencës do të përballet edhe me Shelbournen, Shkëndijën, AZ Alkmaarin dhe Rayo Vallecanon.
Trajneri Ramadani thotë se Drita synon kalimin e fazën nokaut.