Futbollistët, trajnerët dhe drejtuesit e Dritës e kanë festuar gjatë kalimin e raundit të parë të kualifikuar të Ligës së Kampionëve. Pos tyre, të martën mbrëma në Luksemburg kanë festuar edhe shumë shqiptarë, përkrahës të Dritës.
Skuadra gjilanase shkroi histori duke u bërë e para nga Kosova që ka arritur në raundin e dytë kualifikues të garës elitare evropiane. Drita e eliminoi kampionin e Luksemburgut, Differdange. Ndaj tij fitoi 1:0 në Prishtinë dhe 3:2 të martën mbrëma në Luksemburg. Arb Manaj shënoi në Prishtinë e më pas edhe dy gola të tjerë në Luksemburg. Golin e fitores 3:2 e realizoi Veton Tusha në minutat shtesë.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, thotë se të gjithë në skuadër kanë besuar në kualifikim. Ramadani vazhdon të shkruajë kapituj të suksesshëm në futbollin kosovar.
“Kam besuar në punën që kemi bërë dhe në kualitetin e ekipit. U kualifikuam në raundin e dytë, ndërsa këtë e ka besuar e gjithë skuadra jonë. Të gjithë bashkë arritëm ta kalonim raundin e parë. Ishte një obligim profesional dhe moral ta kalonim raundin e parë dhe e arritëm qëllimin”, ka thënë Ramadani të mërkurën për KOHËN.
Ai ka fituar tituj kampioni edhe me skuadra të tjera kosovare, ndërsa me Dritën po vazhdon me suksese. Tekniku shkupjan e di që Dritën tani e pret punë e vështirë.
Në raundin e dytë kualifikues kampionia e Kosovës përballet me gjigantin danez, Copenhagen.
“Tani kemi përballë një kundërshtar ndryshe. Por fillimisht duhet të bëjmë analizën dhe pastaj të bëjmë më të mirën ne si staf. Duhet të përgatitet analiza e mirëfilltë dhe ajo të bartet te futbollistët. Ata pastaj dinë dhe munden të bëjnë më të mirën në fushë. Me flamur të bardhë nuk do të shkojmë. Nëse duam të bëhemi top-lajm në Evropë, duhet të eliminojmë kundërshtarë të këtij rangu”, ka shtuar Ramadani.
Drita menjëherë më 22 korrik luan në “Parken Stadium” në Kopenhagë. Ndeshja e kthimit është më 29 korrik në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kapiteni Rron Broja u kthye në përbërjen bazë të Dritës për ndeshjen në Luksemburg. Për ndeshjen në Prishtinë mesfushori ishte i suspenduar. Kthimi i Brojës kishte ndikimin e pritur në lojën e gjilanasve.
“Jemi shumë të lumtur për këtë sukses. Ishte vështirë, por kemi besuar se mund të kalonim në raundin tjetër dhe ia arritëm qëllimit. Na pret një kundërshtar shumë i fortë. E dimë çfarë kualiteti kanë danezët, mirëpo ne do të provojmë shanset tona”, ka thënë Broja.
Dritën e presin edhe shumë ndeshje evropiane para se të fillojë rrugëtimin për mbrojtje të titullit të kampionit në Kosovë.