Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka theksuar të mërkurën në konferencën për shtyp se ka mësuar shumë nga ndeshjet që i ka zhvilluar Kosova në kualifikimet e Botërorit 2026.
Dhe për paraqitjet e Kosovës, trajneri Ramadani merita të mëdha i ka dhënë selektorit Franco Foda.
Ramadani ka nënvizuar po ashtu se Foda do të kishte merita të mëdha, edhe nëse Drita e mposht Omonian të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e dytë të Ligës së Konferencës. Dueli Drita – Omonia luhet nga ora 18:45.
“Niveli është pak më shumë më i lartë se kampionati jonë. Ne kemi parë dy ndeshje të kampionatit të Qipros, bëhet fjalë për një kampionat mjaftë të fortë, me tifozëri të flaktë, me shumë ritëm. Këtë ritëm na bie ta përjetojmë vetëm në ndeshjet kur i kemi në Evropë. Në kampionat kemi ritëm ndryshe. Sa i përket reprezentacionit të Kosovës, padyshim që si trajner gjithmonë shohim ndeshje dhe në tre ndeshjet e fundit që ka bërë Kosova, unë për vete kam marrë shumë mësim se si duhet të vendoset ekipi kur ka përballë një ekip ose kombëtare që është në nivel më të lartë. Shpresoj se kemi marrë mësimin e duhur. Do mundohemi ta shfrytëzojmë ne këtë. Nëse do të dalim me fitore padyshim se edhe Franco Foda ka meritë për shkak që i kam parë shumë mirë ndeshjet e fundit të Kosovës, i kam analizuar, jo për të bërë analizë nëpër debate televizive, por thjeshtë për të pasur një material më tepër në të ardhmen për mua si trajner”, deklaroi Ramadani.