Futboll

Rama rrëfen bisedën treorëshe me Messin

Valdet Rama

Valdet Rama ka folur për pasionin për futbollin,  momentet më të mira në karrierë dhe ndër të tjera ka rrëfyer edhe përvojën e përballjes me Lionel Messin dhe kontrollin e përbashkët të dopingut me superyllin argjentinas.

Ish-futbollisti Rama i ishte bashkuar Real Valladolidit në janar të vitit 2013. Dhe pas një ndeshjeje në shtëpi ndaj Barcelonën, me Messin iu nënshtruan një kontrolle për doping. Kontrolli për doping është i zakonshëm në futbollin profesional, kurse lojtarët zgjedhen rastësisht.

“Në fakt ne e fituam atë ndeshje 1:0 dhe unë e doja shumë fanellën e tij. Në fillim isha shumë i turpshëm pas ndeshjes, por më pas mblodha guximin dhe ia kërkova. Ai më tha se do të më jepte fanellën e tij në tunel. Pastaj mjeku i ekipit tonë erdhi tek unë dhe tha ‘Valdet, duhet të shkosh për kontrollin e dopingut’. Në atë moment, mendova ‘Doktor, Messi do të më japë fanellën e tij, nuk mund të shkoj tani’. Fatkeqësisht, më duhej të shkoja, por isha me fat që edhe Messi duhej të shkonte për kontrollin e dopingut. Pastaj ai më dha edhe fanellën e tij. Ne qëndruam në kontroll për rreth dy orë e gjysmë deri në tre orë dhe biseduam. Megjithatë, isha shumë i emocionuar, sepse mund ta ndjesh këtë rrezatim që ai paraqet. Thjesht e shijon këtë dhe u gëzova shumë që mora fanellën e tij. Por ai nuk e donte timen”, ka thënë Rama duke qeshur. Ai ka dhënë intervistë për mediumin e madh gjerman “Sport1”.

Mitrovicasi Rama kaloi dy edicione te Real Valladolidi, ku gjatë asaj kohe e pati rastin të përballet edhe me Barcelonën.

“Në atë kohë ishte liga më e mirë në botë. Real Madridi, Barcelona, Atletico Madridi dhe Sevilla, ishin katër klube spanjolle që dominonin futbollin evropian. Ishte një ëndërr e bërë realitet të garoja kundër ekipeve të tilla. E shijova”, është shprehur 38-vjeçari.

Rama u përgjigj edhe në pyetjen se si ishte për të ndjenja e ndarjes së fushës me yjet që dikur luanin për Barcelonën si Messi, Neymar dhe të tjerë.

“Jam tifoz i madh i Barcelonës dhe të paraqitesha në ‘Camp Nou’ për herë të parë ishte një ndjesi e jashtëzakonshme. Normalisht i njeh lojtarët vetëm nga videolojërat ose televizioni, por të jesh në fushë me ta - kjo është përvoja më e mirë që mund të kisha arritur”, ka theksuar ish-reprezentuesi i Shqipërisë.

Rruga e Ramës për t’u paraqitur në një fushë me Messin dhe shumë yje tjerë të futbollit botëror, nuk ishte e lehtë. Ai u bë profesionist pasi i bëri hapat e parë në futboll në Kosovë.

“Erdha në Gjermani nga Kosova me familjen time në vitin 1996. Isha tetë vjeç në atë kohë dhe sigurisht në fillim ishte e vështirë për mua të ambientohesha sepse nuk mund ta flisja gjuhën dhe na u desh të gjenim rrugën si familje në Gjermani. Por që në fillim ndiheshim jashtëzakonisht rehat në Gjermani. Të luaja futboll ka qenë gjithmonë pasioni im i madh, por kryesisht vetëm në rrugë. Nuk luajta deri më vonë. Më pas u regjistrova në një akademi të të rinjve për Rot-Weiss Essen. Pas kësaj, u transferova te Wolfsburg, ku gjithashtu kalova tre vjet të mrekullueshëm”, ka theksuar ai.

Ish-sulmuesi i krahut ka thënë se në Wolfsburg i mungoi fati.

“Fatkeqësisht, atje pata disa lëndime dhe pastaj kuptova se duhej të provoja diçka të re. Mora një ofertë nga Ingolstadti për të luajtur për klubin në divizionin e dytë. Atje filloi vërtet karriera ime profesionale. Personalisht pata një vit të mirë në Ingolstadt, por klubi ra nga kategoria. Më pas mora oferta dhe zgjodha Hannoverin. Pas kësaj, luajta në Suedi dhe Spanjë përpara se të kthehesha në Gjermani. Të qenit futbollist profesionist ishte gjithmonë ëndrra ime, kështu që nuk pendohem për asgjë. Jam shumë mirënjohës dhe krenar që e kam arritur qëllimin tim”, ka thënë Rama.

Karriera e Ramës si lojtar profesionist ishte e veçantë. Shënoi gola të bukur, pati driblime e shpërthime në krah. Po ashtu me shumë sukses u paraqit edhe për Shqipërinë. Për kombëtaren kuqezi luajti 15 ndeshje.