Mbrojtësi i Prishtinës, Ron Raçi është shprehur i lumtur që është grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Raçi u ftua ndërkohë nga selektori Franco Foda, ndërsa fillimisht ishte në listën rezervë.
Raçi dhe lojtarët e tjerë të Kosovës kanë vazhduar me përgatitje për ndeshjet miqësore me Armeninë dhe Komoret. Të martën përfaqësuesja e zhvilloi stërvitjen e tretë.
“Jam mjaft i lumtur. Ta përfaqësosh vendin tënd është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam krenar që jam në mesin e këtyre djemve. Do ta jap maksimumin për Kombëtaren e Kosovës. Jam duke u munduar të përshtatem me ekipin dhe taktikat e trajnerit. Stërvitjet që po i bëjmë janë me intensitet mjaft të lartë dhe shpresoj të jap më të mirën nga vetja. Të dyja miqësoret që na presin duhet t’i fitojmë, në mënyrë që të jemi më të motivuar për kualifikimet e Botërorit që na presin nga shtatori”, ka thënë Raçi për sajtin zyrtar të FFK-së.
Për miqësoret me Armeninë e Komoret, mungojnë emrat kryesorë të Kosovës. Rrjedhimisht rastin pritet ta fitojnë të tjerë lojtarë. Për Raçin dhe debutuesit e tjerë, por edhe ata që janë kthyer, është mundësi e mirë.
Ndeshja me Armeninë zhvillohet të premten në “Fadil Vokrri”. Të hënën e ardhshme është ndeshja me Komoret.
Donat Rrudhani tashmë është i konfirmuar te Kosova. Ai i vlerëson ndeshjet të rëndësishme.
“E dimë që janë dy miqësore shumë të rëndësishme dhe duhet t’u qasemi me shumë seriozitet, duke u përgatitur maksimalisht si individë, por edhe si grup. Lojtarët e rinj i kemi pritur shumë mirë dhe besoj që janë ambientuar. Shpresoj që edhe ata do të tregojnë potencialin e tyre në këto miqësore”, ka thënë lojtari i krahut.