Futboll

Që tani kanë nisur shqetësimet për Botërorin 2026

Që tani kanë nisur shqetësimet për Botërorin 2026

Shorti i Kupës së Botës 2026 do të nisë sot në orën 18:00, ndërsa 42 përfaqësueset që i mësojnë grupet, do të duhet të presin për më shumë se një orë për t’i mësuar kundërshtarët. 

Ato do të duhet të presin edhe 24 orë të tjera, për të parë se kur dhe ku do të luajnë.

Botërori me 48 përfaqësuese do të organizohet vitin tjetër në Kanada, Meksikë dhe SHBA. Në garë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës që organizohet nga 11 qershori deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm, janë edhe Kosova dhe Shqipëria. 

Kosova dhe Shqipëria do të duhet t’i kalojnë dy kundërshtarë të plejofit në muajin mars, përkatësisht më 26 dhe 31 mars. Në gjysmëfinale, Kosova luan në udhëtim te Sllovakia në Bratislavë, kurse Shqipëria luan në udhëtim te Polonia. 

Me sistemin e ri të shortit, katër përfaqësueset e para në renditjen e FIFA-s, Spanja, fituesja në fuqi e Botërorit, Argjentina, nënkampionia Franca dhe Anglia, nuk do të mund të përballen me njëra-tjetrën deri në gjysmëfinale, nëse ato i fitojnë grupet. 

Në Botërorin 2026 do të luhen 104 ndeshje në 16 qytete në SHBA, Kanada dhe Meksikë. 

Të tria këto shtete, bashkë me katër të parat e renditjes së FIFA-s, si dhe Portugalia, Brazili, Holanda, Belgjika dhe Gjermania, janë në vazon e parë. 

Kosova dhe Shqipëria janë në vazon e katërt, ndonëse për t’u kualifikuar në Botëror duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e plejofit. 

Pasi të caktohen grupet, FIFA do t’i përcaktojë vendet ku do të luhen ndeshjet e secilës përfaqësuese.

Që tani kanë nisur shqetësimet për temperaturat e larta që do të jenë në ato dy muaj. 

Herën e fundit kur SHBA-ja e organizoi turneun e Botërorit në vitin 1994, finalja në Pasadena ishte zhvilluar me temperatura 38 gradë Celsius.