Futboll

Kosova me mungesa të rëndësishme e me emra të rinj

ks

Kosova do të paraqitet në miqësoret e qershorit pa futbollistët kryesorë dhe me disa emra të rinj. Përzgjedhësi Franco Foda ka publikuar të premten listën për dy ndeshjet miqësore. 

Tekniku gjerman ka ftuar 25 futbollistë, disa prej tyre për herë të parë. Më 6 qershor Kosova luan ndaj Armenisë, ndërsa më 9 qershor me Përfaqësuesen e Komoreve. Të dy ndeshjet do të luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Lojtarët më të mirë të Kosovës nuk do të grumbullohen fare. Kapiteni Amir Rrahmani, që me Napolin e fitoi titullin e kampionit në Serie A, do të pushojë. Pas një edicioni shumë të ngarkuar të lirë janë lënë edhe Vedat Muriqi e Milot Rashica. 

Edon Zhegrova, Arijanet Muriq e Valon Berisha janë të lënduar. Mungojnë edhe Fidan Aliti e Emir Sahiti, prej lojtarëve të rëndësishëm. 

Në përfaqësuese janë kthyer qendërmbrojtësit Ismajl Beka e Kreshnik Hajrizi dhe mesfushorët Meriton Korenica e Ismet Lushaku. Për herë të parë janë ftuar Bledian Krasniqi dhe Florian Haxha. 

Beka e Hajrizi ishin përballur me shumë lëndime, por së fundmi janë kthyer tek ekipet e tyre. 

Beka i Luzernit ka luajtur në vetëm pesë ndeshje në edicionin e fundit, kurse Hajrizi i Sionit ka luajtur në 21 ndeshje dhe ka kontribuuar me dy gola e një asistim. 

Korenica ishte prej më të mirëve te Cluji rumun në edicionin tashmë të përfunduar. 

28-vjeçari i pati 12 gola e shtatë asistime në 50 paraqitje në të gjitha garat. Ai me Clujin e fitoi Kupën e Rumanisë. 

Mesfushori 24-vjeçar, Ismet Lushaku, luan për Norrkopingun në elitën suedeze. Për Kosovën luajti miqësore ndaj Suedisë B, më 12 janar të vitit 2020. Më nuk ishte ftuar.

Bledian Krasniqi është 23-vjeçar dhe luan si mesfushor me tipare sulmuese. Paraqitet te Zurichu në Superligën e Zvicrës. Në këtë edicion pati ndeshje që janë vlerësuar të mira. I pati 38 paraqitje, ndërsa kontributi i tij ishte me gjashtë gola të shënuar e pesë asistime. Krasniqi më herët ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës. 

Florian Haxha luan te klubi Kapfenberg në kategorinë e dytë austriake. 23-vjeçari i zhvilloi 30 ndeshje, ndërsa shënoi pesë gola dhe bëri 12 asistime. Ai më herët ishte te Kosova U21. 

Miqësoret me Armeninë dhe Komoret nuk vlerësohen të nivelit më të lartë. Rrjedhimisht selektori Foda do t’u jap hapësirë lojtarëve që nuk luajnë shpesh, apo që janë kthyer e janë ftuar për herë të parë. 

Kosova me Armeninë i ka luajtur dy miqësore. E ka një barazim 2:2 në vitin 2022 dhe një fitore 1:0 në vitin e kaluar.

Me Përfaqësuesen e Komoreve luan për herë të parë. 

Komoret janë kualifikuar në Kupën Afrikane që në dhjetor të këtij viti dhe janar të vitit të ardhshëm mbahet në Marok, pasi e fitoi grupin ku ishin Tunizia, Gambia dhe Madagaskari. 

Miqësoret e qershorit do të shfrytëzohen për përgatitje për kampanjën kualifikuese të Botërorit që vitin e ardhshëm organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përzgjedhësi Foda do të shoh edhe ndonjë lojtar potencial për ndeshjet kualifikuese. 

Kosova kampanjën kualifikuese e nis ndaj Zvicrës më 5 shtator. Në Grupin B janë edhe Suedia dhe Sllovenia.

Grumbullimi i përfaqësueses bëhet të dielën në Prishtinë.

Përfaqësuesja e Kosovës për miqësoret me Armeninë dhe Komoret

Portierë: Amir Shaipi, Visar Bekaj, Faton Maloku

Mbrojtës: Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj, Ilir Krasniqi, Ismajl Beka, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi, Leart Paqarada, Donat Rrudhani, Dion Gallapeni

Mesfushorë/sulmues: Ermal Krasniqi, Muharrem Jashari, Vesel Demaku, Ismet Lushaku, Elvis Rexhbeçaj, Lindon Emërllahu, Bledian Krasniqi, Baton Zabërgja, Meriton Korenica, Florian Haxha, Florent Muslija, Albion Rrahmani, Fisnik Asllani