Futboll

PSG-ja dhe Chelsea janë gati për finalen e madhe

Chelsea

Paris Saint-Germaini do të përballet me Chelsean në finalen e edicionit të parë të Kupës së Botës për Klube me format të zgjeruar, përkatësisht me 32 pjesëmarrës. Finalja zhvillohet të dielën prej orës 21:00 në New Jersey. 

Kështu mbyllet turneu njëmujor në SHBA. Ndonëse kishte debat rreth motit dhe kalendarit, ngjarja solli dramë të ngjashme me atë të një Kupe të Botës për përfaqësuese.

Klubi nga Franca dhe ai nga Anglia, që janë dy prej më të fuqishmëve dhe më të pasurve në futbollin evropian, do të garojnë që të jenë kampioni i parë i Botërorit me 32 ekipe. FIFA vendosi për rritje të ngjarjes, me premtimin për të bërë revolucion në futbollin e klubeve. Ngjarja shërbeu, po ashtu si përgatitje për Botërorin që mbahet pas një viti në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Finalja e planifikuar për mesditë, sipas kohës lokale, vjen në fund të një turneu të mbushur me befasi. Këtu përfshihet edhe eliminimi tronditës i Manchester Cityt dhe Interit nga skuadra autsajdere si Al-Hilal e Fluminense.

Parisi ka qenë në formë të shkëlqyer, duke i fituar shtatë nga tetë ndeshjet e fundit pa pësuar asnjë gol. Skuadra e Luis Enriques e tregoi stilin e saj me presioni të lartë, ritëm të shpejtë dhe lëvizje vertikale, në fitoren shkatërruese, 4:0, ndaj Real Madrdit në gjysmëfinale.

Dy humbje të shpejta të topit nga madrilenët, që erdhën nga presioni i madh i parisienëve, bënë që epërsia 2:0 të arrihet shpejt.

Parisi, që javë më parë e fitoi Ligën e Kampionëve të Evropës, po e synon titullin e parë të botës. Trajneri Enrique e ka ringjallur ekipin, duke i zëvendësuar yjet e larguar, si Neymar, Lionel Messi e Kylian Mbappe, me një skuadër të re dhe dinamike, të përkushtuar plotësisht në fushë.

Lideri i mesfushës, Vitinha, ishte vendimtar. Mbrojtësit e krahut, Nuno Mendes dhe Achraf Hakimi, ofrojnë gjerësi në lojë dhe ritëm. Në sulm, pretendenti kryesor i Topit të Artë, Ousmane Dembele, ka shkëlqyer. Ai ka shënuar gola dhe ka bërë asistime vendimtare, ndonëse e kaloi një lëndim.

Solidariteti në mbrojtje i PSG-së, po ashtu ishte i jashtëzakonshëm. Lojtarët e PSG-së kanë bërë pak gabime dhe kjo doli të jetë vendimtare deri më tani.

Luis Enrique, që e ka përjetuar lavdinë edhe sa ishte te Barcelona, nuk ka humbur finale deri më tani. Ai i ka fituar 11 finalet e deritashme me klube.

Chelsea ka ndjekur rrugë më të gjatë drejt finales. Ka arritur në SHBA pasi e fitoi Ligën e Konferencës, që është gara evropiane e nivelit të tretë. Londinezët mezi arritën të përfundojnë në top-katër të Premier Leagues.

Chelsea është kthyer në turneun botëror dhe finalja i jep trajnerit Enzo Maresca mundësi për frymëmarrje më të lehtë. Puna e tij ishte vënë në dyshim për shkak të problemeve me skuadrën që i kushtoi Chelseat mbi 1 miliard euro në vitet e fundit.

Shtimi në mes të turneut i sulmuesit Joao Pedro doli të jetë frymëzues. Sulmuesi brazilian shënoi të dy golat e Chelseat në gjysmëfinalen ndaj Fluminenses. Bëhet fjalë për ekipin e fëmijërisë së Joao Pedros.  Ai është përshtatur mirë me Cole Palmerin në sulm, ndërsa treshja e mesfushës, Enzo Fernandez, Romeo Lavia dhe Moises Caicedo ka shkëlqyer në ndërprerjen e aksioneve të kundërshtarit, krijimin e tyre dhe shfrytëzimin e hapësirave.

Finalja pritet të jetë e fortë dhe spektakël futbolli. Loja që e bëjnë dy skuadrat është një lloj garancie për këtë.