Futboll

Pse titulli i Serie A do të vendoset të premten e jo në vikend?

Napoli Calcio

Gara për titull në Serie A do të caktohet të premten kur Napoli dhe Interi ballafaqohen me Cagliarin dhe Comon, në ndeshjen e fundit të kampionatit. 

Kur Lega Serie A zyrtarisht e caktoi orarin e ndeshjeve, pati shumë pikëpyetje se pse ka ndodhur një gjë e tillë. 

Vendimi është marrë për shkak të skenarit që nuk është ditur deri në javët e fundit. 

Interi arriti në finale të Ligës së Kampionëve dhe është në garë me Napolin për titull në Serie A. 
Një ndeshje e plejofit për “Scudetto” është e mundur. 

Napoli është i pari me 79 pikë, ndërsa Interi ka 78 pikë në vendin e dytë. 

Nëse Napoli dhe Interi e mbyllin kampanjën me pikë të barabarta, edhe një ndeshje tjetër do të luhej për t’u përcaktuar fituesi i kampionatit. 

Nëse orari i dy skuadrave që luftojnë për titull do të caktohej për vikend dhe nëse skuadrat e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, ndeshja e plejofit për titull do të luhej të martën apo të mërkurën. Ky skenar do ta linte Interin me vetëm pak ditë përgatitje për finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, që është të shtunën më 31 maj. 

Për këtë arsye është vendosur që duelet përcaktuese për titull të luhen të premten, ndërsa plejofi do të luhej të hënën nëse do të ishte e nevojshme. 

Kjo do t’i linte Interit më shumë kohë për pushim dhe përgatitje për finalen e “Championsit”.