Futboll

Pse Mbappe kishte bonus për etikë prej 1,5 milion eurosh në kontratën me PSG-në

Kylian Mbappe

Kylian Mbappe pritet të bëhet për 60 milionë euro më i pasur, pasi fitoi një betejë gjyqësore për pagën dhe bonuset e papaguara nga ish-klubi i tij, Paris Saint-Germain.

Një aspekt i fitores ligjore të Mbappes solli habi. PSG-ja u urdhërua që t’ia paguajë sulmuesit 1,5 milion euro në emër të “bonusit etik”.

Për shumë tifozë, sidomos në Mbretëri të Bashkuar, një bonus etik mund të tingëllojë pak i çuditshëm. Por në Francë kjo është pjesë normale e një kontrate të një sportisti profesionist.

“Bonusi etik” bëri bujë edhe më parë, kryesisht kur detajet e kontratës së Neymarit me PSG-në u zbuluan nga gazeta spanjolle “El Mundo”.

Marrëveshja e sulmuesit brazilian përcaktonte një pagesë mujore etike prej 541 mijë e 680 eurove. Për Mbappen, bonusi ishte 500 mijë euro në muaj.

Raportet përmendin klauzola që kërkonin që Neymari të tregonte “mirësjellje, miqësi dhe gatishmëri ndaj tifozëve”. Ai gjithashtu pritej që të përshëndeste tifozët para dhe pas çdo ndeshjeje.

E vërteta prapa bonusit etik është shumë më ndryshe.

Çka është bonusi etik?

Në futbollin anglez klubet mund të dënojnë lojtarin në shumën e pagës dyjavore. Ligji francez ndalon çdo zbritje nga paga e një punëtori. Prandaj ekipet sportive e bëjnë një pjesë të vogël të pagës një “bonus etik”. Paga baza dhe bonusi i etikës janë në fakt paga totale e lojtarit.

Në vitin 2021 në disa raportime u pretendua se Neymari mori para shtesë për duatrokitjet në drejtim të tifozëve. Por detajet paraqesin një pamje tjetër.

Neymari pritej të sillej me përgjegjësi ndaj sponsorëve dhe gjyqtarëve. Ai duhej të paraqitej në stërvitje me kohë dhe iu ndalua të vendoste baste. Ky në fakt ishte një kod moral.

“Klubet janë shumë të interesuara që ta mbrojnë imazhin e e tyre”, ka thënë për BBC eksperti i financave të futbollit, Kieran Maguire.

“Drejtuesit e klubeve nuk duan që klubi të kritikohet. Dhe ato kushte i quajnë klauzola të sjelljes së mirë. Klauzolat e sjelljes janë shumë të zakonshme në sport”.

Në vitin 2018, Marco Verrattit iu ndal një pjesë e bonusit të etikës, pasi u kap duke drejtuar veturën në gjendje të dehur. Hatem Ben Arfa gjithashtu e humbi bonusin, pasi nuk mori pjesë në kampin stërvitor të PSG-së në mes të edicionit në Katar.

Në vitin 2023, Lionel Messi u ndëshkua nga PSG-ja pasi bëri një udhëtim të paautorizuar në Arabinë Saudite.

40 për qind më shumë para nga bonuset

Bonuset tani përbëjnë pjesë të madhe të kontratës së një lojtari. Ato mbulojnë pagesat e besnikërisë, që ndahen çdo vit në përvjetorin e bashkimit të lojtarit me klubin. Bonuse ka edhe për të drejtat e imazhit dhe shënimin e golave.

“Kontrata që dikur shkruhej në pjesën e pasme të një pecete, tani është një investim nga një sërë palësh të interesuara”, thotë Maguire.

“E ke klubin, e ke agjentin, kompaninë e menaxhimit, lojtarin. Dhe mjaft shpesh edhe kompaninë e të drejtave të pronësisë intelektuale të lojtarit. Kam parë disa nga gjashtë kontratat e mëdha dhe ka rritje prej 25 për qind për pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve”, thotë eksperti financiar.