Mason Mount iu bashkua Manchester Unitedit si yll në ardhje i futbollit anglez. Atij iu dha fanella ikonike e Cristiano Ronaldos, ndërsa pritej të ishte pjesë vendimtare e procesit të rindërtimit të njërit prej klubeve më të mëdha në sport.
Por më pas gjërat shkuan keq.
“Ishte vështirë, por kam mësuar shumë nga këto momente”, ka thënë Mount në prag të finales së Ligës së Evropës, që Manchester Unitedi e luan ndaj Tottenhamit të mërkurën në Bilbao të Spanjës.
Një numër i madh i lëndimeve e kanë limituar mesfushorin në vetëm 12 paraqitje prej fillimit në Premier League, që kur u transferua nga Chelsea për 69 milionë dollarë në vitin 2023.
Gjatë kësaj kohe Mount është dashur të shikojë se si rënia e Unitedit ka vazhduar me ritëm alarmues. Skuadra me 20 tituj të kampionit do ta përfundojë edicionin me numrin më të vogël të pikëve dhe pozitën më të keqe prej se ka nisur epoka “Premier League”.
Megjithatë, Liga e Evropës paraqet një mundësi për të shpëtuar një edicion që mund të hyjë në histori si shumë i keq. Liga e Evropës është mundësi e Unitedit për trofe të rëndësishëm dhe që të kualifikohet në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.
Për Mountin, që ka kthyer gjendjen fizike dhe formën në javët e fundit, është një mundësi që e kërkon pas dy vjetësh plot dhembje e frustrim në “Old Trafford”.
Për Unitedin, finalja është mundësi shpëtimi.
“Si grup, e dimë situatën në të cilën ndodhemi. E dimë që në ligë nuk ishim mjaftueshëm mirë. Por finalen e Ligës së Evropës mezi e presim”, ka thënë Mount. “Nuk do ta harrojmë atë që kemi bërë në ligë dhe formën tonë në ligë. Por kjo është finale. Nëse fitojmë, do të jetë një fund pozitiv i një edicioni të vështirë”.
Finalja është shpërblim për orët e gjata të punës rehabilituese që 26-vjeçari Mount ka bërë në bazën stërvitore të Unitedit në Carrington, për të kapërcyer shumë pengesa. Këtu përfshihen edhe lëndime në puplë dhe kofshë. Ai ka vetëm nëntë ndeshje si titullar në të gjitha garat e këtij edicioni. Tri prej tyre i luajti këtë muaj.
“Nuk është gjithmonë e lehtë. Kam kaluar shumë ditë në Carrington. Isha i shtrirë në shtrat kur doja të ushtroja. Kam qenë në tribunë duke shikuar ndeshjet në të cilat dëshiroja të luaja. Jap çdo gjë që të vazhdojë rehabilitimin, që të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur. Këtë e kam pasur gjithnjë në mendje”, ka theksuar Mason Mount.
Vështirësitë te Manchesteri janë në kontrast me kohën e Mountit te Chelsea. Ai ishte trajtuar si hero pasi ishte ngritur nga akademia e klubit dhe bëri asistimin për golin e fitores së Kai Havertzit në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2021. Ishte pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Anglisë që ishte nënkampione evropiane atë vit. Kishte startuar në finalen ndaj Italisë.
Tek Unitedi e vlerësuan aq shumë sa që ia dhanë fanellën me numër 7, që e kanë veshur legjenda si Eric Cantona, David Beckham e Ronaldo. Por në vend që të vazhdonte të krijonte momentet e tij të paharrueshme me numrin e famshëm në shpinë, Mount pa skuadrën duke rënë vazhdimisht në formë. Kjo bëri që Erik ten Hag të humb vendin e punës, ndërsa trajneri aktual, Ruben Amorim, po e drejton skuadrën në kampanjën më të keqe të klubit në histori të Premier Leagues.
Në javët e fundit megjithatë, Mount ka dhënë shenja të nivelit që e bindi Unitedin të angazhonte atë. Ka shënuar edhe dy gola në gjysmëfinale të Ligës së Evropës ndaj Athletic Bilbaos.
“Dua të shënoj gola, të kem momente të tilla”, thotë ai. “Thjesht nuk kam pasur shumë mundësi për ta bërë këtë, kështu që sa herë që jam në fushë dua t’u tregoj të gjithëve se çka mund të bëj. Dua të krijoj shanse për shokët, të fitoj ndeshje, të fitoj trofe”.