Futboll

Prishtina e fiton thellë derbin me Llapin

FC Prishtina

Foto:FC Prishtina

Prishtina ka vazhduar me fitore. Pas kampanjës dëshpëruese në kualifikimet në garat evropiane, në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, “bardhekaltrit” kanë vazhduar me rezultate pozitive në Superligë. 

Prishtina ka shënuar fitore të thellë në derbin ndaj Llapit. Të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Prishtina fitoi 3:0 ndaj Llapit. 

Mario Ilievski realizoi në minutën e 37-të për 1:0. Më pas në minutën e 58-të, nga penalltia realizoi Rin Ahmeti. Valmir Veliu ishte i saktë po ashtu nga pika e bardhë në minutën e dhjetë të kohës shtesë. Veliu për shkak se ishte për kohë të gjatë te Llapi, nuk festoi pas golit të shënuar. 

Prishtina me këtë fitore mbetet në krye të tabelës me gjashtë pikë nga dy ndeshje, aq sa ka edhe Ferizaj në vendin e dytë. 

Llapi mbetet me një pikë në vendin e tetë.

Ndërkohë Ferizaj të dielën fitoi 1:0 në udhëtim te Prishtina e Re, skuadra që në Superligë luan për herë të parë në histori. 

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Fitore të dielën realizoi edhe Dukagjini, që fitoi 2:0 ndaj Gjilanit. 

E vetmja ndeshje që u mbyll baras ishte ajo mes Ballkanit dhe Malishevës. Dueli i zhvilluar në Suharekë përfundoi 1:1. 

Ndeshja Drita – Drenica është shtyrë. Kjo ndeshje është dashur të zhvillohej të dielën në Gjilan, por u shty për shkak të angazhimit të Dritës në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Drita të enjten e luan në Luksemburg ndeshjen kthyese të plejofit të Ligës së Konferencës ndaj Differdanget.

Ndeshjen e parë në Prishtinë, Drita e fitoi 2:1. Në rast se Drita kualifikohet në Ligën e Konferencës, do të bëhej pas Ballkanit skuadra e dytë që siguron paraqitjen në Ligën e Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia. 
 

 


Veliu vendos fitoren e thellë të Prishtinës ndaj Llapit

Përditësim, 20:48 - Valmir Veliu e ka shënuar golin për 3:0 ndaj Llapit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Veliu shënoi në minutën e 10-të të kohës shtesë nga penalltia. Me golin e Veliut edhe u mbyll ndeshja e xhiros së dytë e Superligës së Kosovës në futboll. 

Edhe penalltia e dytë në ndeshje u sinjalizua nga gjyqtari Mentor Ajeti, pas rishikimit të situatës në VAR. 

Ai pa ndërhyrje të palejuar në zonë nga portieri Marjan Çoriq, në sulmuesin Alban Shillova. 
Veliu nuk festoi pas golit të shënuar, për shkak se për kohë të gjatë ishte pjesë e Llapit. 
Dy golat tjerë, Prishtina i shënoi me Mario Ilievskin dhe Rin Ahmetin. Ilievski shënoi në minutën e 37-të, ndërsa Ahmeti në minutën e 58-të nga penalltia. 

Prishtina pas dy ndeshjeve zë vendin e parë me gjashtë pikë, aq sa ka edhe Ferizaj. 
Për Llapin ishte humbja e parë, pas barazimit në xhiron e parë me Drenicën.


Prishtina shënon golin e dytë, realizon Ahmeti

Përditësim, 22:03 - Talenti Rin Ahmeti e ka shënuar golin e dytë ndaj Llapit. 
Ahmeti 17-vjeçar, realizoi nga pika e bardhë në minutën e 58-të. 
Ai e konkretizoi në gol penalltinë e fituar nga Valmir Veliu. 
Penalltia u dha pas rishikimit të situatës në VAR.


Prishtina në epërsi pas pjesës së parë

Përditësim, 21:35 - Prishtina e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi ndaj Llapit. 

Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon javës së dytë të Superligës së Kosovës në futboll.

 


Prishtina në epërsi ndaj Llapit

Mario Ilievski e ka kaluar në epërsi Prishtinën ndaj Llapit.

Ai golin e realizoi në minutën e 37-të. Kjo ndeshje i takon xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll.