Futboll

Prishtina kërkon të dalë nga kriza në ndeshjen me Drenicën

KF Prishtina

Prishtina e pret Drenicën në njërën prej ndeshjeve kryesore të xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në futboll. Është kjo xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor, përkatësisht e këtij viti.

Ndeshja Prishtina – Drenica zhvillohet të shtunën nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Prishtina do të bëjë përpjekje për ta kaluar krizën e rezultateve. Kriza ka bërë që Prishtina të bie nga vendi i parë në vendin e tretë. I ka 27 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur, atë me Dritën.

Dukagjini është i dyti me 28 pikë, derisa Ballkani udhëheq në tabelë me 32 pikë. Drenica është në vendin e tetë me 20 pikë. Më pak kanë vetëm Ferizaj, 16, dhe Prishtina e Re, 15.

Prishtina nuk ka fituar në Superligë që nga 25 tetori, kur triumfoi 2:0 ndaj Dukagjinit. Më pas humbi nga Llapi, barazoi me Gjilanin, humbi nga Malisheva dhe Prishtina e Re, sërish barazoi me Ferizajn, kurse xhiron e kaluar humbi 3:1 nga Ballkani. 

Zëvendësimi i trajnerit, përkatësisht largimi i Arsim Thaqit dhe ardhja e Afrim Tovërlanit, nuk ndryshoi shumë sa u takon rezultateve. Pas kthimit te Prishtina, Tovërlani është pa fitore në Superligë, në tri ndeshje.

Edhe Drenica e ka ndryshuar trajnerin së fundi. Gjermano-kroati, Thomas Brdariq, debutoi me fitore 2:1 ndaj Ferizajt, fundjavën e kaluar. Para asaj ndeshje, Drenica kishte tri humbje rresht në Superligë. 

Të shtunën është edhe ndeshja mes Ferizajt dhe Llapit. Për të dy skuadrat pikët janë me shumë vlerë.

Llapi është i shtati me 21 pikë, pesë më shumë se Ferizaj që është i parafundit.

Të dielën janë tri ndeshjet e tjera.

Kampionia në fuqi, Drita, luan në udhëtim te Malisheva. Gjilani e pret Prishtinën e Re, kurse derbi i xhiros zhvillohet në Klinë mes Dukagjinit dhe Ballkanit. Ballkani i Suharekës ka rreshtuar fitoret me trajnerin kroat Mislav Karoglan. Dukagjini mund të vlerësohet befasi e vjeshtës. I ka mbledhur plot 28 pikë, që aktualisht i mjaftojnë për vendin e dytë.

Të gjitha ndeshjet zhvillohen nga ora 13:00.