Trajneri Debatik Curri, që në këtë post e zëvendësoi Ardian Nuhiun, e ka nisur me fitore aventurën e re te skuadra e Gjilanit.
Curri dhe Gjilani të shtunën fituan 1:0 ndaj Prishtinës së Re në udhëtim, në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll, të parën pas pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve.
Ndeshja u zhvillua në Lipjan, përkatësisht në stadiumin “Sami Kelmendi”.
Sfidën e vendosi Senad Jaroviqi. Sulmuesi shtatlartë shënoi gol në minutën e 83-të. Goli fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të situatës në VAR nga gjyqtari Dardan Çaka, u pa se gjithçka ishte e rregullt.
Goli i Jaroviqit mbeti në fuqi dhe Gjilani iu gëzua fitores së parë pas tri humbjeve të njëpasnjëshme, nga Drenica, Llapi dhe Drita.
Në pjesën e parë, Gjilani pretendoi për penallti pas prekjes me dorë në zonë të mbrojtësit të krahut të djathtë, Donat Hasanaj. Edhe këtë situatë gjyqtari Çaka e rishikoi në VAR, dhe vlerësoi se prekja e topit me dorë nuk ishte e qëllimshme.
Kriza te Prishtina e Re është thelluar edhe më shumë. Prishtina e Re e pësoi disfatën e katërt në pesë ndeshjet e fundit, ku e ka edhe një barazim.
Me dhjetë pikë, Gjilani tani është në pozitën e shtatë. Dhjetë pikë i ka edhe Malisheva në pozitën e gjashtë.
Ndërkohë, Prishtina e Re në vendin e fundit ka vetëm shtatë pikë në nëntë ndeshje.
Prishtina e Re e Gjilani po barazojnë në Lipjan
Prishtina e Re dhe Gjilani kanë barazuar pa gola pas pjesës së parë në ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja po luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Pati lojë të ashpër e me shumë duele në 45 minutat e para. Por, munguan golat.
Futbollistët e Gjilanit në minutat shtesë të pjesës së parë kërkuan penallti pas prekjes me dorë në zonë të mbrojtësit të krahut të djathtë, Donat Hasanaj.
Por pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari Dardan Çaka vlerësoi se prekja e topit me dorë nuk ishte e qëllimshme dhe nuk dha penallti.
Për trajnerin Debatik Curri është ndeshje debutuese me klubin e ri. Curri u zyrtarizua si trajner i Gjilanit ditë më parë.