Futboll

Prezantimi i Krasniqit te Polissya Zhytomyr pritet javën tjetër

kr

Qendërmbrojtësi Ilir Krasniqi pritet t’i bashkohet së shpejti skuadrës ukrainase, Polissya Zhytomyr. 

Te kjo skuadër ukrainase javë më parë u transferua edhe Lindon Emërllahu, futbollisti tjetër i Kosovës. KOHA ka mësuar se Krasniqi pritet t’i kryejë testet mjekësore më 9 janar, të premten e ardhshme, dhe më pas do të bëhet zyrtarizimi i tij.

“Javën tjetër Iliri do t’i kryejë testet mjekësore e më pas do të zyrtarizohet çdo gjë”, ka thënë për KOHËN një burim i afërt me futbollistin. 

Krasniqi do të nënshkruajë kontratë për tre vjet e gjysmë, ndërsa transferimi i tij nga Kolos Kovalivka do të kompletohet për afro dy milionë euro. 

25-vjeçari Krasniqi te Kolos Kovalivka ishte transferuar për 300 mijë euro në qershor të vitit 2024. Me këtë skuadër në 15 ndeshje të luajtura në edicionin aktual e ka një gol të shënuar. 

Krasniqi është shndërruar në lojtar të rëndësishëm edhe te Kosova. 

Me “Dardanët” në kampanjën e suksesshme kualifikuese për Botërorin 2026 pati paraqitje shumë të mira. Në total me Kosovën, Krasniqi ka luajtur në 17 ndeshje. 

Kosova në muajin mars do të luajë në gjysmëfinale të plejofit të Botërorit 2026 në Bratislavë ndaj Sllovakisë. Në rast të fitores, e pret në “Fadil Vokrri” fituesin e ndeshjes Turqia – Rumania.