Presidenti i Sportingut, Frederico Varandas, ka kërcënuar sulmuesin e klubit të tij, Viktor Gyokeres, që nuk u paraqit në stërvitje të shtunën për shkak të kërkesës për të kaluar tek Arsenali. Varandas ka kërcënuar edhe Arsenalin se po që se nuk paguan shumën e kërkuar për sulmuesin, atëherë ai do të qëndrojë edhe tri vjet në Portugali.
“Nëse ata nuk duan të paguajnë aq sa ka vlerën Viktori në treg, këtu në Sporting të gjithë jemi rehat që ai të qëndrojë edhe për tri vjet. Kjo strategji po e bën më të komplikuar largimin e lojtarit sepse askush nuk është mbi interesat e klubit. Kushdo që është ai. Jemi të qetë, gjithçka do të zgjidhet me mbylljen e tregut, me një gjobë të majme dhe kërkimfalje për grupin”, ka deklaruar ai, sipas gazetarit të njohur të transferimeve Fabrizio Romano.
Romano ka raportuar ditë më parë se Arsenali dhe Sportingu janë afër marrëveshjes për transferimin e sulmuesit suedez.
Arsenali ka arritur marrëveshje personale me futbollistin, ndërsa është raportuar se “Topçinjtë” nuk po pranojnë të paguajnë rreth 80 milionë funtet sa po kërkon Sportingu.