Presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, Armand Duka, e ka komentuar ceremoninë e shortit që është mbajtur të premten mbrëma në Washington
Nëse kualifikohet, Shqipëria do të jetë në Grupin F në Botërorin e futbollit. Në këtë grup janë edhe Holanda, Japonia e Tunizia.
Duka beson se Shqipëria do të kualifikohet në Botërorin e vitit të ardhshëm që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
“Organizimi i shortit ishte fantastik. Vetëm futbolli mund të bëjë që të bashkojë kaq shumë njerëz bashkë, njerëz të rëndësishëm të politikës, njerëz shumë të rëndësishëm të botës së futbollit, por edhe të sporteve të tjera. Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij eventi të rëndësishëm. Sot ishte dita e parë, pra organizimi i shortit dhe për këtë unë dua të falënderoj futbollistët e ekipit Kombëtar dhe stafin, që na e kanë bërë të mundur të ëndërrojmë për të qenë pjesë e këtij Botërori. Padyshim që rruga jonë është e vështirë. Ne kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Polonisë në Varshavë dhe nëse e kalojmë atë pastaj do të luajmë një ndeshje finale kundër skuadrës fituese Suedisë apo Ukrainës me ëndrrën për të qenë pjesë e Botërorit. Padyshim të vazhdojmë të luftojmë deri në minutën e fundit dhe unë kam shumë besim te skuadra jonë, te motivimi i tyre dhe dëshira e tyre për të qenë pjesë e Botërorit. Uroj shumë që vërtet ta realizojmë këtë ëndërr, jo vetëm të ekipit të futbollit, jo vetëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, por të gjithë shqiptarëve që e duan shumë futbollin”, u shpreh Duka për faqen zyrtare të FSHF-së.
Shqipëria në gjysmëfinale të plejofit luan me Poloninë në udhëtim. Nëse e mposht Poloninë, sërish në udhëtim përballet me Ukrainën apo Suedinë.