Portieri Amir Shaipi mund të largohet nga Lugano para se të mbyllet afati kalimtar dimëror.
“Blick” ka raportuar të dielën se Lugano ka marrë ofertë për Shaipin. Nuk është zbuluar emri i skuadrës që synon transferimin e portierit të Kosovës.
Shaipi ka thënë pas barazimit 1:1 të Luganos ndaj Grasshopperit, të shtunën, se nuk ka informata nëse do të ndodhë largimi i tij nga Lugano gjatë këtij afati kalimtar.
“Nuk e di vërtet, ju dini më shumë se unë”, ka thënë Shaipi për “Blick”. Ai shtoi se është i lumtur te Lugano.
“Unë luaj dhe përpiqem të paraqitem mirë në fushë. Nuk di asgjë tjetër”.
Trajneri i Luganos, Mattia Corci-Torti, pret ta ketë Shaipin pjesë të ekipit deri në fund të edicionit.
“Ai është lojtar i Luganos dhe jam i kënaqur me të. Besoj se ai patjetër do të qëndrojë me ne deri në fund të sezonit”, ka thënë trajneri i Luganos.
Lugano është në garë për titull të kampionit. Zë vendin e dytë me 40 pikë.