Amir Shaipi është portieri i dytë te Kosova. Dhe tani edhe te Lugano, skuadra e Superligës së Zvicrës.
Shaipi për kohë të gjatë ishte zgjedhje e parë për portën e Luganos. Por këtë edicion shfaqi formë të zbehtë dhe të shtunën ndaj St. Gallenit porta iu besua portierit me përvojë, David von Ballmoos. Ai në fillim të javës u transferua nga Young Boysi, ku mbeti portier i dytë.
Shaipi madje nuk ishte as pjesë e skuadrës në humbjen 1:0 nga St. Galleni. Me gjasë nuk ka pranuar të grumbullohet.
Trajneri i Luganos, Mattia Croci-Torti ka shpjeguar vendimin.
“Shaipi ka bërë punë të shkëlqyer për katër vjet te Lugano”, ka thënë Croci-Torti. Por ai pa gjëra nga Von Ballmoosi që e bindën se është zgjedhje më e mirë për ekipin. Dhe shpreson që mori vendimin e duhur.
Biseda me Shaipin nuk ishte e lehtë, ndërsa portieri i Kosovës e pranoi me vështirësi vendimin.
“Por ky është futbolli. Ka momente kur duhet të marrim vendime të vështira. Nuk është e lehtë as për mua, pasi Amiri është në zemrën time”, ka thënë Croci-Torti.
“Por unë paguhem edhe për vendime të vështira. Është pjesë e punës sime. Amiri është burrë dhe e di që do të reagojë në mënyrë korrekte”.
Ai e di që Shaipit i duhen dy-tri ditë për të qartësuar idetë në kokën e tij.
Shaipi, 25-vjeçar, te Lugano është nga viti 2021.