Policia e Sllovenisë ka thënë se po i vazhdon hetimet lidhur me vjedhjen e targave të automjeteve të dhjetëra tifozëve kosovarë në parkingun e stadiumit të futbollit Stozhice dhe po ashtu me një rast të dëmtimi të një automjeti.
Dhjetëra kosovarë raportuan për vjedhje të targave pas ndeshjes mes Sllovenisë dhe Kosovës më 15 nëntor në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2026. Kosova triumfoi 2:0.
Zëdhënësi i Policisë së Sllovenisë, Tomazh Tomazheviq, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se autorët e kësaj ngjarje ende janë të panjohur. Ai ka treguar se targat nuk janë gjetur dhe se çdo individ që ka humbur targat ka marrë një certifikatë të cilën ka mundur ta përdorë për të udhëtuar në shtëpi në Kosovë.
“Dëshirojmë t'ju informojmë se më 15.11.2025, në parkingun pranë stadiumit Stozhice, ku po zhvillohej një ndeshje futbolli midis ekipeve kombëtare të Sllovenisë dhe Kosovës, policia hetoi veprën penale të vjedhjes së targave nga automjetet e dhjetëra palëve të dëmtuara dhe rastin e dëmtimit të një automjeti pasagjerësh. Policia kreu një inspektim në vendngjarje dhe vazhdon të mbledhë informacione me qëllim gjurmimin e autorëve, të cilët janë ende të panjohur...Targat nuk janë gjetur deri më tani. Çdo individ që ka raportuar krimin ka marrë një certifikatë që mund të përdoret për të udhëtuar në shtëpi në Republikën e Kosovës. Të gjitha targat e vjedhura janë futur në të gjitha sistemet e kërkimit kombëtar dhe ndërkombëtar në dispozicion”, ka thënë Tomazheviq. “Si me të gjitha hetimet, në këtë rast, ne po ndjekim qëllimin e hetimit të plotë të krimeve dhe ndjekjes penale të duhur të autorëve”.
Tomazheviq ka thënë se Policia e Sllovenisë ka zbatuar gjitha masat e sigurisë për tifozët vizitorë dhe se u monitoruan lëvizjet e grupeve të tifozëve dhe u kryen aktivitete parandaluese.
“Dëshirojmë të theksojmë se policia, si pjesë e sigurisë së ndeshjes së futbollit, zbatoi masa për të garantuar sigurinë e të gjithë vizitorëve, me praninë e oficerëve të policisë në zonën e stadiumit dhe në qytetin e gjerë që u rrit sipas nevojës. Oficerët e policisë monitoruan lëvizjet e grupeve të tifozëve, kryen aktivitete parandaluese dhe përshtatën vazhdimisht masat sipas situatës së sigurisë. Përveç oficerëve të policisë të njësive speciale të policisë, në kryerjen e detyrave të tyre u përfshinë edhe trajnerë qensh shërbimi dhe një helikopter policie”, tha Tomazheviq.
Ambasada e Kosovës në Slloveni kishte lëshuar një njoftim pas raportimeve për vjedhje të targave.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë njofton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë mbetur mbrëmë pa targa të automjeteve që të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin në Kosovë. Nënkuptohet, rastet duhet të paraqiten fillimisht në Policinë e Republikës së Sllovenisë. Për informata shtesë ju lutemi kontaktoni linjën emergjente të Ambasadës në numrin: +386 31 465 221”, thuhet në njoftim.
E Ministria e Jashtme e Kosovës po ashtu kishte dalë me njoftim.
“Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, u tha në njoftim.