Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Plejofi i dytë i Kosovës, një “botë larg” të parit

Valon berisha

Kishte lajme negative e mosbesim më 7 tetor 2020, një ditë para ndeshjes më të madhe të Kosovës deri atëherë.

Ka entuziazëm sot, një ditë para ndeshjes më të madhe të Kosovës deri më tani.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dy plejofet e deritashme të Kosovës janë “një botë larg” njëra-tjetrës. Për shumë arsye.

Kosova të enjten prej orës 20:45 luan në Bratislavë ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kampionat Botëror.

Më 8 tetor 2020 në Shkup luajti me Maqedoninë e Veriut, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Euro 2020, që për shkak të pandemisë së koronvarisuti u mbajt në vitin 2021. Kosova ishte mposhtur 2:1 dhe kështu ishte shuar ëndrra e shumë tifozëve për të parë “Dardanët” në Evropian. Maqedonia e Veriut më 12 nëntor kishte fituar 1:0 ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi dhe ishte kualifikuar në Euro 2020.

Për Kosovën kishte dëshpërim. Kishte edhe fyerje të panumërta ndaj lojtarëve, përzgjedhësit Bernard Challandes dhe ndaj federatës. Zvicerani Challandes, që për shumë kohë ishte vlerësuar lart për punën e bërë, ishte shumë i kritikuar. Lojtarët, që për shkak të koronavirusit, por edhe gjendjes fizike, nuk ishin pjesë e ekipit për ndeshjen në Shkup, u kritikuan e u fyen.

Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica e Hekuran Kryeziu ishin lojtarët që munguan. Dhe mungesa e tyre u vërejt shumë në paraqitje.

Para sfidës më të rëndësishme deri atëherë, Kosova ishte në seri prej pesë ndeshjeve pa fitore. Në nëntor 2019, në kuadër të kualifikimeve të rregullta për Euro 2020, kishte pësuar 2:1 nga Çekia në Plzen dhe 4:0 nga Anglia në Prishtinë. Më 12 janar 2020, në miqësore, kishte pësuar 1:0 nga Suedia.

Ndërkohë u paraqit koronavirusi, topi u ndal dhe ndeshjen tjetër Kosova e luajti më 3 shtator 2020. Barazoi pa gola me Moldavinë në Parma të Italisë, tashmë në edicionin 2020/2021 të Ligës së Kombeve. Më 6 shtator 2020, “Dardanët” pësuan 2:1 nga Greqia në “Fadil Vokrri”.

Dhe më pas më 8 tetor erdhi goditja e rëndë nga Maqedonia e Veriut. Dhe entuziazmi u tret.

Ka kaluar kohë para se besimi tek ekipi përfaqësues të kthehet. Gjërat ndryshuan për të mirë me ardhjen e Franco Fodas në postin e selektorit, në shkurt të vitit 2024. Disa veprime fillestare të tij, jo të lehta, rritën profesionalizmin në ekip. Përkrahja e FFK-së ndaj tij po ashtu kishte ndikim masiv. Ndërkohë cilësia u rrit ndjeshëm me ardhjet e dy vjetëve të fundit: Fisnik Asllanit, Elvis Rexhbeçajt, Albian Hajdarit, Leon Avdullahut, Veldin Hoxhës e ndonjë tjetri. Por edhe lojtarë që për shumë vjet ishin bartës, si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Mërgim Vojvoda, Edon Zhegrova, Aro Muriq e disa të tjerë, prekën pika të reja kulmore në karrierë.

Kosova edhe në këtë moment është në seri prej pesë ndeshjeve. Por për dallim me periudhën para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, seria aktuale është pozitive – pa humbje. Dhe niveli ku luan Kosova është dukshëm më i lartë, ndër të tjera edhe për shkak të rritjes se profesionalizmit në Federatë.

Plejofin për kualifikim në “Euro 2020”, Kosova e kishte siguruar duke fituar grupin në Ligën D të edicionit të parë të Ligës së Kombeve. Fitoi grupin me përfaqësuese gati inferiore si Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta.

Tani është në plejof pasi përfundoi e dyta në një grup “të vdekjes” me përfaqësuese si Zvicra, Suedia e Sllovenia. Në kualifikimet për Botërorin 2026, të përzgjedhurit e Fodas e humbën ndeshjen e parë me Zvicrën e më pas i kishin tri fitore e dy barazime.

Seria aktuale, niveli i lojtarëve, organizimi i përgjithshëm në dhe rreth përfaqësueses bëjnë që plejofi për Botërorin 2026 të jetë plotësisht ndryshe për Kosovën prej atij për “Euro 2020”.

Atëbotë ishte lëshuar rast i artë, që Kosovës nuk i erdhi deri më tani. Por ai plejof, ato sfida, ishin pjesë e procesit të rritjes së vazhdueshme të Kosovës. Se sa është rritur, dëshmon fakti që po synohet Botërori dhe fakti tjetër që Suedia e Sllovenia me superyje në përbërje, mbetën prapa Kosovës në kualifikimet e rregullta.

Kosovës sërish i mungojnë emra të rëndësishëm, si kapiteni Amir Rrahmani dhe lideri i mesfushës, Leon Avdullahu, që janë të lënduar. Por entuziazmi mbetet i madh. Besimi për sukses po ashtu.

“Jemi këtu për të dhënë çdo gjë që kemi dhe të luftojmë për një vend në Kupën e Botës. Është rast i madh për ne. I gjithë vendi është plot entuziazëm. Një prej ëndrrave të mia është ta përfaqësoj Kosovën në Kupën e Botës apo në Kampionat Evropian”, ka thënë lideri i Kosovës, Vedat Muriqi, që do të jetë kapiten të enjten mbrëma në Bratislavë. Ai ka shtuar se mund të pensionohet i lumtur nëse Kosova kualifikohet në Botëror.

Kosova në fakt nuk mendohet pa Muriqin në krye të sulmit. Ai me shokë të enjten e kanë rastin të shkruajnë histori.