Si kampione, Dritës i takon të hapë edicionin evropian për skuadrat kosovare.
Skuadra gjilanase këtë do ta bëjë të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Nga ora 20:00, në ndeshjen që transmetohet në KTV, takohet me kampionin e Luksemburgut, Differdange. Është ndeshja e parë e rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Drita tashmë ka përvojë të çmuar në skenën evropiane. Kjo përvojë mund t’i shërbejë shumë për ta kaluar me sukses kundërshtarin luksemburgas.
Drita për herë të parë në gara të UEFA-s është paraqitur në edicionin 2018/19. Kishte garuar pikërisht në kualifikimet e Championsit. Atëbotë, me formatin tashmë të ndryshuar, luhej edhe raundi preliminar, para raundit të parë kualifikues.
Raundi preliminar kishte gjysmëfinalen dhe finalen. Ishte luajtur në formë turneu në Gjibraltar. Drita, më 26 qershor 2018, kishte fituar 2:0 ndaj Santa Colomas së Andorrës. Xhevdet Shabani dhe Fidan Gërbeshi kishin shënuar golat për fitoren 2:0 pas vazhdimeve. Në finale të raundit preliminar, më 29 qershor 2018, Drita kishte fituar 4:1 ndaj skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps. Sërish ndeshja ishte vendosur në vazhdime.
Kështu, që në debutim, Drita i kaloi me sukses dy kundërshtarët e parë. Shorti e vendosi përballë skuadrës së madhe suedeze, Malmo, në raundin e parë kualifikues. Si vendase, Drita luajti në “Adem Jashari” në Mitrovicë. Pësoi 3:0, ndërsa ndeshja mblodhi afro 10 mijë shikues. Malmo fitoi më pas 2:0 në shtëpi dhe avancoi tutje.
Drita u zhvendos në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Edhe atëherë kishte përballë kundërshtar nga Luksemburgu. Me Dudelangen humbi 2:1 në Luksemburg, ndërsa barazoi 1:1 në Mitrovicë dhe u eliminua.
Në garat evropiane, gjilanasit u kthyen në edicionin 2020/2021, në kohë pandemie. Sërish si kampionë, nisën në raundin preliminar të Championsit. Në gjysmëfinale fituan 2:1 ndaj Inter d’Escalades të Andorrës. Por finalen e humbën me rezultat zyrtar, 3:0, nga Linfieldi i Irlandës së Veriut. Turneu i raundit preliminuar ishte zhvilluar në Zvicër, pa praninë e shikuesve, ndërsa Drita humbi me rezultat zyrtar pasi dy lojtarë të saj dolën me koronavirus. Rrjedhimisht i gjithë ekipi u vendos në karantinë dhe kjo e pamundësoi zhvillimin e ndeshjes.
Në atë edicion të pazakontë, Drita vazhdoi garën në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Në raundin e dytë kualifikues e eliminoi Sileksin e Maqedonisë së Veriut duke e mposhtur 2:0. Por në raundin e tretë u eliminua nga skuadra e madhe polake, Legia Varshavë.
Në edicionin 2021/2022, Drita në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi Deçiqin e Tuzit, kurse më pas u ndal nga gjiganti holandez, Feyenoord, pas dy paraqitjeve që lanë shumë përshtypje.
Një edicion më pas, 2022/2023, ekipi gjilanas në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi Inter Turkun e Finlandës, por në të dytin u ndal nga Antwerpi belg. Sërish dy paraqitjet e Dritës lanë shumë përshtypje.
Në edicionin 2023/2024, Drita përballë e kishte gjigantin çek, Viktoria Plzen, në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja në Plzen përfundoi pa gola, por në Prishtinë, më 3 gusht 2023, Viktoria Plzeni fitoi 2:1. Madje golin e fitores çekët e shënuan nga penalltia në minutën e 111-të.
Vjet Drita e kishte kampanjën më të mirë. Në raundin e dytë të Ligës së Konferencës e eliminoi Breindablikun e Islandës. Në raundin e tretë e eliminoi Audan e Letonisë. Sërish u përball me Legia Varshavën e Polonisë, por këtë herë i humbi të dy ndeshjet. U eliminua në raundin e plejofit.
Differdange nuk është skuadër e nivelit të Malmos, Legias, Feyenoordit, Antwerpit dhe Viktoria Plzenit. Rrjedhimisht prej kampiones së Kosovës kërkohet suksesi dhe avancimi në fazën e dytë kualifikuese të Championsit.