Derisa përmes VAR-it po konfirmohej penalltia e Borussia Dortmundit në ndeshjen ndaj Juventusit, në fushë erdhi te një “përplasje” e lojtarëve të ekipit gjerman. Serhou Guirassy mori topin për ta gjuajtur penalltinë, ndërsa Karim Adeyemi, Julian Brandt dhe Ramy Bensebaini kanë argumentuar me të, në momente edhe ashpër.
“E kuptoj që Serhou ka dashur të shënojë pasi e kishte shansin”, ka thënë trajneri i Dortmundit, Niko Kovaç pas ndeshjes.
Por nuk ishte e planifikuar që Guirassy të gjuante penalltinë.
“Ishte plotësisht e definuar”, ka vazhduar trajneri kroat.
Ishte vendosur që Bensebaini, e jo Guirassy të gjuante penalltinë e parë. Dhe në fund kështu ndodhi.
Guiarssy u “dorëzua” dhe Bensebaini e dërgoi topin në rrjetë.
Guirassy nuk është zgjedhja e parë për gjuajtje të penalltive, pasi humbi penallti në barazimin 3:3 në Bundesligë me St. Paulin.
Bensebaini nuk ka humbur asnjë nga 11 penalltitë që i ka gjuajtur te Monchengladbachu, Dortmundi dhe tek Algjeria.
Ai ishte i sigurt edhe të martën mbrëma në Torino.
Bensebaini më pas bëri gabim që i kushtoi me pikë Dortmundit. Për Guirassyn nuk pritet të ketë pasoja.
“Ai është djalosh i shkëlqyer, lojtar i vërtetë i ekipit, kështu që çdo gjë është në rregull”, ka thënë Kovaç.
Guirassy festoi menjëherë me bashkëlojtarët pas golit të Bensebainit.