Futboll

Për një gjë Kololli është më i mirë se Xherdan Shaqiri

Benjamin Kololli

Xherdan Shaqiri është në krye të listës së golashënuesve të Superligës së Zvicrës me 18 gola. Pas tij është Dereck Kutesa i Servettes me 15 dhe Willem Geubbels i St. Gallenit me 14. Nëntë i ka Bernjamin Kololli. Njërin prej golave e shënoi për Baselin, tetë të tjerët për Sionin. Të gjitha golat i ka realizuar në vitin 2025.

Ai ka luajtur vetëm 963 minuta për Sionin dhe 155 minuta për Baselin. Dhe në bazë të statistikave të paraqitura nga gazeta e madhe zvicerane “Blick”, Kololli shënoi për ekipin e Sionit çdo 120 minuta. Shaqiri ka shënuar çdo 140 minuta.

Para Kolollit është vetëm Philipp Otele të Baselit, i cili ka shënuar çdo 117 minuta lojë.

Kololli shënoi tetë gola për Sionin që nga rikthimi i tij në janar te kjo skuadër.

“Jo keq, apo jo? Jam i kënaqur. Shumë njerëz më thanë që do të ishe kampion me Baselin nëse do të kishte qëndruar. Por për mua është ndryshe. Nuk luaja më atje. Dhe nëse do të isha bërë kampion në atë mënyrë, pa luajtur, nuk do të ndihesha kampion i vërtetë. Por këtu gjithçka po shkon në mënyrë të shkëlqyer. Nuk do ta kisha menduar kurrë këtë gjashtë muaj më parë”, ka thënë Kololli, shkruan “Blick” të dielën.

Kololli dy golat e fundit i shënoi të shtunën në fitoren 2:1 të Sionit ndaj Grasshopperit. Sioni është në vendin e nëntë me 44 pikë.